
TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, si një nga figurat kyçe në atë që ai e cilëson si “fushata më kriminale zgjedhore në historinë e pluralizmit”, duke e vendosur në qendër të një skeme që, sipas tij, përdori fondet publike për të blerë vota në zonat rurale të vendit.
Në një deklaratë të fortë për mediat, Berisha ka përmendur skemën e garancisë sovrane për kreditë e buta në bujqësi si mjet elektoral në zgjedhjet e 11 majit, duke e akuzuar Denajn për keqpërdorim flagrant të detyrës dhe shkelje të nenit 91/4 të Kodit Zgjedhor, që ndalon transaksionet shtetërore në periudhë zgjedhore.
“Anila Denaj e ktheu ministrinë në një zyrë elektorale të PS-së, duke shëtitur fshat më fshat për të tregtuar garancinë sovrane si letër votimi,” – tha Berisha, duke shtuar se Denaj ka qenë pjesë e çdo takimi publik që, sipas tij, kishte për synim ndikimin e votës përmes fondeve të bujqësisë.”
View this post on Instagram
Berisha denoncoi se fondi prej 250 milionë eurosh, i shpallur më 10 shkurt 2025, u shpërnda si garanci 70% e principalit të kredisë, por jo për fermerët realë, sipas tij, “për të lidhurit me pushtetin dhe militantët”.
Në një kalendar të detajuar, Berisha përmendi takimet ku Anila Denaj ka marrë pjesë në mars dhe prill – nga Cërriku në Pukë, nga Kurbini në Goriçan – duke e cilësuar garancinë sovrane si “flamurin e fushatës së saj personale elektorale” në qarkun Berat.
“Këto janë para publike të përdorura në kundërshtim me ligjin për të blerë votën e varfërisë në zonat më të thella të Shqipërisë. Dhe Denaj, nga një burokrate teknike, u shndërrua në një agjente politike që shkel çdo kufi etik dhe ligjor,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, kjo skemë nuk ishte as ndihmë për bujqësinë dhe as mbështetje për ekonominë rurale, por “një fasadë e mirëkuruar e klientelizmit dhe pazareve elektorale.”
Berisha ka paralajmëruar se Partia Demokratike do të ndjekë këtë çështje edhe në rrugë ligjore, përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve ndërkombëtare vëzhguese, duke theksuar: “Nuk do të lejojmë që bujqësia të përdoret si monedhë votash dhe as që Anila Denaj të mbulohet me imunitetin e fushatave.”
LEXO MË SHUMË:
Skandali me kartat e identitetit. Si e ktheu Anila Denaj ministrinë në shtab elektoral personal dhe fitoi mandatin e deputetes, duke i zënë vendin kandidatëve të ndershëm dhe me kontribut në PS