
New York – Bota e financës amerikane është tronditur sërish nga një skandal i ngjashëm me rastin e Jeffrey Epstein. Ish-menaxheri i njohur financiar Howard Rubin, 70 vjeç, që ka punuar për kompani si Merrill Lynch, Bear Stearns dhe Soros Fund Management, është arrestuar së bashku me asistenten e tij, Jennifer Powers, 45 vjeçe, me akuzën e trafikut seksual dhe torturës së dhjetëra grave, përfshirë edhe ish-modele të Playboy.
Sipas aktakuzës së paraqitur në Gjykatën Federale të Brooklyn, Rubin dhe Powers dyshohet se nga viti 2009 deri në vitin 2019 kanë krijuar një rrjet trafiku seksual duke përdorur pasurinë e Rubin për të joshur gra në aktivitete seksuale të dhunshme. Shumë prej viktimave raportohet se kanë pësuar dëmtime fizike dhe psikologjike.
Hetimet zbuluan se një pjesë e këtyre akteve zhvilloheshin në një apartament luksoz pranë Central Park, ku ishte ndërtuar një dhomë e veçantë, e quajtur “The Dungeon”, e pikturuar me të kuqe, e insonorizuar dhe e pajisur me mjete për praktika BDSM, përfshirë edhe pajisje që jepnin goditje elektrike.
Prokuroria federale theksoi se Rubin dhe Powers kanë shpenzuar mbi një milion dollarë për të rekrutuar gra të varfra ose në nevoja ekonomike, të cilat shpesh përfundonin viktima të dhunës përtej çdo marrëveshjeje. Për të ruajtur heshtjen, viktimave u kërkohej të firmosnin marrëveshje konfidencialiteti dhe u kërcënoheshin me pasoja ligjore nëse flisnin.
Të dy të dyshuarit u arrestuan më 26 shtator – Rubin në shtëpinë e tij në Fairfield, Connecticut, dhe Powers në Texas – dhe përballen me dënim minimal prej 15 vitesh burg deri në burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.
FBI ka hapur një linjë të posaçme për viktimat apo për këdo që ka informacione mbi rastin Rubin–Powers.
Ky skandal i ri, që risjell kujtimet e çështjes Epstein, ngre pyetje të forta mbi abuzimet me pushtetin dhe pasurinë në elitën financiare të New York-ut, si dhe mbi mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes në këtë sektor.