
Muzikë e papublikuar, lista shfaqjesh dhe materiale të ndjeshme të Beyoncé janë vjedhur nga një makinë në Atlanta, vetëm pak ditë para koncerteve të saj në qytet, duke ngritur shqetësime për rrjedhjen e materialeve ekskluzive të artistes që njihet për sekretin ekstrem rreth projekteve të saj.
Sipas një raporti policor të konfirmuar nga autoritetet dhe cituar nga BBC, hajdutët shënjestruan një Jeep të marrë me qira nga koreografi Christopher Grant dhe balerini Diandre Blue, bashkëpunëtorë të ngushtë të Beyoncé. Makina ishte parkuar pranë një food hall-i dhe kur u kthyen, dritarja e pasme ishte thyer dhe dy valixhe ishin zhdukur.
Çfarë u vodh?
Në mes të sendeve të marra ishin:
- 5 USB me muzikë të papublikuar, plane shfaqjesh dhe lista këngësh për të kaluarën dhe të ardhmen,
- Laptop personal, veshje firmato dhe AirPods.
Policia ka nisur një hetim dhe ka gjurmë të lehta gishtash, si dhe të dhëna të ndjekjes nga pajisjet elektronike, por ende nuk dihet nëse ndonjë nga materialet është rikuperuar. Urdhër-arrest është lëshuar, por emri i të dyshuarit nuk është bërë publik.
Beyoncé, mbretëresha e sekretit
Ky incident paraqet një goditje për Beyoncé, e cila është e njohur për masat ekstreme për të shmangur rrjedhjet. Ajo u bë pioniere e lansimeve të befasishme me albumin “BEYONCÉ” në vitin 2013, që doli pa paralajmërim në iTunes dhe u shit mbi 800 mijë kopje brenda 72 orëve.
Çdo bashkëpunim me artistët tjerë kontrollohet rreptësisht – përfshirë edhe bashkëpunimin me Post Malone, ku këngët i janë dërguar me përfaqësues personal dhe janë ruajtur nën mbikëqyrje.
Reagimi i fansave dhe heshtja e yllit
Beyoncé nuk ka reaguar ende publikisht për këtë incident. Por fansat e saj, të njohur për besnikëri ekstreme, në të kaluarën kanë refuzuar të shpërndajnë albume të rrjedhura para kohe, siç ndodhi me “Renaissance” në vitin 2022.
Në atë rast, Beyoncé falënderoi personalisht fansat për korrektësinë.
Turneu “Cowboy Carter” në kulm
Vjedhja ndodhi më 8 korrik, dy ditë para koncertit të parë në Atlanta – pjesë e turneut “Cowboy Carter”, album që i solli Beyoncé çmimin Grammy si Albumi i Vitit 2024.
Bashkëshorti i saj, Jay-Z, u shfaq surprizë në njërën nga netët e performancës.