
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj përmbajtjes së një libri të Gjeografisë për klasën e shtatë, botim 2025 në Maqedoninë e Veriut, ku Kosova i referohet në mënyrë të pasaktë si “Kosovë e Metohi”. Libri është miratuar nga Komisioni Kombëtar për Tekste Shkollore më 5 gusht 2025 dhe është futur në përdorim gjatë vitit shkollor aktual.
Në reagimin e saj, BDI shpreh shqetësim të thellë për “qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda”, duke theksuar se formulime të tilla shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Sipas BDI-së, përshkrimi i Kosovës si e vendosur “në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut.
Partia kritikon gjithashtu përdorimin e termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit, duke e cilësuar atë si devijim identitar dhe shkencor që shërben narrativave historike serbe. Po ashtu, BDI kundërshton formulimin “Mitrovica e Kosovës”, duke theksuar se reflekton terminologji tendencioze serbe, e papranueshme për një tekst shkollor të miratuar institucionalisht.
Sipas BDI-së, përgjegjësia për miratimin e këtij libri bie drejtpërdrejt mbi strukturat qeverisëse, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për Tekste Shkollore. “Miratimi i këtij libri në vitin 2025 tregon tolerim ndaj shtrembërimeve historike dhe identitare, duke rrezikuar edukimin e nxënësve dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar”, thuhet në reagim.
BDI kërkon tërheqjen urgjente të librit nga përdorimi, rishikimin dhe korrigjimin e përmbajtjes sipas standardeve shkencore dhe politikës shtetërore, si dhe përcaktimin e përgjegjësive institucionale dhe politike. Partia thekson se do ta ndjekë çështjen deri në korrigjimin e plotë, për të mos lejuar që gjeneratat e reja të ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara për Kosovën.
Ndërkohë, koalicioni VLEN ka reaguar kundër qëndrimit të BDI-së, duke e cilësuar atë si “një lojë të vonuar dhe të paturpshme”. Sipas VLEN, BDI nuk ka moral të flasë për gabime në tekstet shkollore, pasi për 15 vite ka drejtuar Ministrinë e Arsimit. Koalicioni bën të ditur se zëvendësministri i Arsimit nga radhët e VLEN, Lulzim Aliu, ka kërkuar verifikim të menjëhershëm dhe korrigjim pa vonesë të gabimeve në libër.






