
Një hetim i BBC Eye Investigations ka zbuluar një rrjet të madh shfrytëzimi seksual që operonte në lagjet më luksoze të Dubait, i drejtuar nga Charles Mwesigwa, i njohur si “Abbey”.
Sipas raportimit, dhjetëra vajza të reja nga Uganda janë mashtruar me premtime për punë në supermarkete apo hotele, por janë futur me detyrim në prostitucion dhe shfrytëzuar në mënyra degraduese, me pagesa që nisnin nga 1.000 dollarë nata. Disa prej tyre rrëfyen se klientët, kryesisht evropianë të bardhë, kërkonin praktika ekstreme dhe poshtëruese, përfshirë dhunë seksuale dhe akte degraduese të lidhura me fenomenin e njohur në rrjetet sociale si #DubaiPortaPotty.
Hetimi ekspozoi gjithashtu vdekjen misterioze të dy grave ugandeze – Monic Karungi (2022) dhe Kayla Birungi (2021) – të cilat ranë nga pallatet e larta në Dubai ku jetonin nën menaxhimin e rrjetit të Mwesigwa-s. Familjet e tyre dyshojnë se nuk u bë hetim i plotë, ndërsa raportet zyrtare i lidhën vdekjet me drogë dhe alkool.
Një ish-anëtar i grupit, që prezantohej si menaxher i operacioneve, tha për BBC se Mwesigwa kishte lidhje të forta me sigurinë e klubeve të natës dhe përdorte emrat e vartësve për të fshehur gjurmët ligjore. Ai përshkroi një sistem ku gratë mbaheshin nën borxhe të mëdha dhe pa rrugëdalje.
Mwesigwa, i cili paraqitet si ish-shofer autobusi në Londër, mohon akuzat dhe thotë se është “vetëm një person që organizon festa me njerëz të pasur”. Megjithatë, BBC e filmoi atë në fshehtësi duke ofruar mbi 25 gra për festa private dhe duke pranuar kërkesa për “akte të çmendura” kundrejt pagesave të larta.
Rasti ka ngritur shqetësime të mëdha për trafikimin e grave nga Afrika drejt Gjirit Persik, ndërkohë që aktivistët në Uganda paralajmërojnë se qindra vajza vazhdojnë të rrezikojnë të bien viktimë e skemave të tilla.