
Arbitri Federico La Penna rrezikon një pezullim të gjatë pas polemikave të forta që pasuan derbin Inter-Juventus, ku ai përjashtoi gabimisht mbrojtësin Pierre Kalulu.
Episodi vendimtar ndodhi në minutën e 42-të të pjesës së parë, kur Bastoni u rrëzua në zonë dhe gjyqtari akordoi menjëherë kartonin e dytë të verdhë për Kalulun. Pamjet filmike treguan se nuk kishte kontakt mes lojtarëve, duke e kthyer vendimin në një nga gabimet më të diskutuara të javës në Serie A.
Gabimi konsiderohet i dyfishtë, pasi jo vetëm që Kalulu nuk duhej ndëshkuar, por Bastoni – i cili dyshohet për simulim – mund të ishte ndëshkuar vetë me karton, duke lënë Interin me një lojtar më pak.

Sipas mediave sportive italiane, përzgjedhësi i arbitrave Gianluca Rocchi, pritet ta ndalojë për disa ndeshje La Pennën për këtë “verbëri” në fushë. Ndërkohë, pritet edhe analiza e rastit në emisionin “Open VAR”, ku zakonisht shqyrtohen episodet më të debatueshme.
Pas ndeshjes reagoi ashpër edhe drejtuesi i Juventusit, Giorgio Chiellini, i cili kritikoi nivelin e arbitrimit për një sfidë kaq të rëndësishme. “Është e papranueshme që një ndeshje e këtij niveli të vendoset me kaq lehtësi,” u shpreh ai.
Rasti ka rihapur debatin për rregullat e VAR-it, pasi teknologjia nuk mund të ndërhynte në një karton të dytë të verdhë – një rregull që mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm.



