Një incident alarmues ka ndodhur në ambientet e Bashkisë së Kurbinit, ku gazetari Ersid Karaj dhe ekipi i emisionit investigativ “Xhadat” të MCN TV janë përballur me dhunë fizike dhe verbale, ndërsa po përpiqeshin të ndjekin një denoncim qytetar mbi problemet infrastrukturore në Malësinë e Kurbinit.

Në një reagim publik, Karaj akuzon drejtpërdrejt kryetaren e bashkisë, Majlinda Cara, si përfaqësuese të një institucioni që, sipas tij, “mbrohet nga rrugaçëria dhe gangsterët e Laçit” dhe thotë se bashkia është shndërruar në një “zonë të mbyllur” ku gazetarët përballen me kërcënime, bllokim e fyerje brutale.

“Policia bashkiake na bllokoi hyrjen në katin e dytë ku ndodhej zyra e kryetares. Persona me ‘shapka shtëpie’ u futën në bashki dhe na shtynin duke bërtitur ‘Ju vramë, ju therëm!’ përpara syve të punonjësve të bashkisë që nuk ndërhynin fare”, – denoncoi gazetari.

Ai shtoi se përpjekja për një intervistë institucionale u shndërrua në një përballje me “policinë e krimit”, që i mbrojti jo gazetarët, por njerëzit që i kërcënonin.

Reagojnë organizatat e gazetarëve

Rrjeti ndërkombëtar Safe Journalists ka dënuar incidentin duke e cilësuar si një kërcënim të rrezikshëm ndaj lirisë së medias në Shqipëri. Ata theksojnë se gazetari dhe ekipi i tij u penguan në mënyrë të dhunshme gjatë ushtrimit të detyrës, duke u ekspozuar ndaj rrezikut fizik dhe verbal.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili dënon me forcë incidentin dhe kërkon hetim të menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese:

“Përfaqësuesit e medias janë kërcënuar, shtyrë, prekur në pajisje dhe përzënë me forcë nga ambientet e një institucioni publik, me mbështetjen ose mosveprimin skandaloz të policisë bashkiake. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtës kushtetuese për informim dhe një sjellje që nuk mund të tolerohet në një shtet demokratik”, – thuhet në deklaratë.

Asociacioni i bën thirrje Prokurorisë së Rrethit Kurbin dhe Policisë së Shtetit që të nisin menjëherë hetimet dhe të ndëshkojnë përgjegjësit, qofshin ata zyrtarë publikë apo persona të jashtëligjshëm. Po ashtu, kërkohet një reagim urgjent nga vetë kryetarja Majlinda Cara, për një situatë që “ka vënë në rrezik jetën dhe punën e gazetarëve”.

> “Askush nuk është mbi ligjin. As pushteti vendor, as kryetarët, as ‘të fortët’”, përfundon deklarata.

Emisioni “Xhadat” pritet të publikojë së shpejti pamjet filmike nga momentet e përplasjes në ambientet e bashkisë.

Ngjarja ngre alarmin për rritjen e klimës së frikës dhe dhunës ndaj gazetarëve në Shqipëri, në një kohë kur liria e shtypit mbetet e kërcënuar nga arroganca e pushtetit lokal dhe mungesa e ndëshkueshmërisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu