Skafi me drogë nga Saranda mbytet në det – 135 kg marijuanë të sekuestruara, në pranga 50-vjeçari “Çimoni”

Policia greke ka zbuluar një tjetër rast trafiku droge nga Shqipëria, pasi një skaf që u nis të enjten mbrëma nga Saranda u mbyt në ngushticën detare midis Korfuzit dhe Igumenicës.

Sipas autoriteteve greke, drejtuesi i mjetit, 50-vjeçari Edmond Musa nga Saranda, i njohur me nofkën “Çimoni”, u arrestua dhe u shoqërua në Komisariatin e Igumenicës. Pas marrjes në pyetje, ai u rikthye me policinë në vendin ku ishte fundosur skafi, ku me ndihmën e një zhytësi privat u gjetën 5 pako me 79.7 kg marijuanë.

Një ditë më pas, në zonën e quajtur “Voda” në Sajadhë, u gjet edhe një çantë tjetër me 6 pako shtesë që përmbanin 56.1 kg marijuanë. Në total, sasia e drogës së sekuestruar arrin në 135.8 kg, me një vlerë tregu prej rreth 400 mijë eurosh.

Musa akuzohet për trafik të lëndëve narkotike dhe hyrje të paligjshme në territorin grek, pasi udhëtonte pa dokumente të vlefshme. Policia greke ka sekuestruar gjithashtu skafin e përdorur për transport dhe një telefon celular.

Në bashkëpunim me autoritetet greke, policia e Sarandës ka nisur hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi.

Sipas burimeve policore në Greqi, vetëm gjatë dy muajve të fundit, është sekuestruar një sasi prej rreth 242 kg marijuanë që dyshohet se ka origjinë nga Shqipëria.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu