E hëna e tretë e janarit njihet si Blue Monday, e cilësuar shpesh si dita më e trishtuar e vitit. Nëse këtë ditë ndiheni më të lodhur, pa motivim, me humor të rënë apo me një ndjesi ankthi të pashpjegueshme, ekspertët thonë se nuk jeni të vetëm.

Sipas shpjegimeve psikologjike, Blue Monday vjen në një moment kur atmosfera festive e fundvitit ka përfunduar, pushimet janë mbyllur dhe përpara nesh shtrihen ende shumë javë dimri, pa dritën dhe energjinë e pranverës. Po ashtu, planet dhe premtimet e Vitit të Ri shpesh fillojnë të zbehen, duke krijuar ndjenjë zhgënjimi apo stresi.

Termi Blue Monday u krijua më shumë se 20 vite më parë nga psikologu i Universitetit të Cardiff-it, Cliff Arnall, i cili, duke studiuar sjelljen dhe gjendjen emocionale të njerëzve, arriti në përfundimin se e hëna e tretë e janarit është periudha kur shumë persona ndihen më të rënë psikologjikisht.

Arsyet janë të shumta:

  • Faktorët klimatikë, si i ftohti, mungesa e diellit dhe moti me shi;
  • Faktorët ekonomikë, pasi janari shoqërohet me shpenzime të larta dhe të ardhura më të pakta;
  • Rikthimi në rutinën e punës, pas pushimeve të fundvitit.

Megjithatë, specialistët theksojnë se Blue Monday nuk është një diagnozë mjekësore, por më tepër një fenomen psikologjik dhe social. Ata këshillojnë që kjo ditë të shfrytëzohet për kujdes ndaj vetes, aktivitet fizik, kontakte sociale dhe fokus te gjërat pozitive që ndihmojnë në përmirësimin e humorit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu