Situata në aksin kombëtar Prrenjas–Elbasan vijon të jetë kritike dhe alarmante, edhe në orët e vona të mbrëmjes së së premtes (2 janar), duke u kthyer në një nga episodet më të rënda të bllokimit rrugor të regjistruara ndonjëherë në vend.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga terreni, mijëra automjete kanë mbetur të paralizuara për dhjetëra kilometra, ndërsa mijëra qytetarë janë izoluar në kushte tepër të vështira, përballë temperaturave nën zero, mungesës së lëvizjes dhe orientimit.

Bllokimi masiv shtrihet nga Ura e Bushtricës në Qukës, në territorin e Prrenjas, deri në zonën e Fushë Labinotit në Elbasan. Ky segment jetik i rrugës kombëtare është shndërruar në një korridor të ngrirë, me radhë të gjata automjetesh dhe kaos të plotë.

Drejtues mjetesh dhe pasagjerë raportojnë pritje prej orësh të tëra, mungesë ndihme dhe pasiguri të vazhdueshme. Qëndrimi i zgjatur në automjete, shpesh pa ngrohje të mjaftueshme dhe pa akses në shërbime bazë, po e përkeqëson ndjeshëm situatën. Qarkullimi është i paralizuar që prej orëve të para të mëngjesit, pa sinjale konkrete për përmirësim.

Sipas të dhënave paraprake, situata është rënduar nga moti i keq, i shoqëruar me ngrica dhe reshje, por edhe nga mungesa e gadishmërisë së firmave të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve. Në segmentet më problematike, akulli në asfalt ka krijuar kushte ekstremisht të rrezikshme, duke çuar në bllokim total dhe rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mungesa e reagimit dhe informimit zyrtar. Deri në këto momente, nuk ka pasur një njoftim publik të qartë mbi shkaqet konkrete të bllokimit apo mbi masat që po merren për normalizimin e trafikut, pavarësisht se qytetarët e përshkruajnë gjendjen si katastrofike dhe të paprecedentë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu