Banorët e fshatit Borizanë të Krujës janë ngritur sot në protestë për shkak të situatës kritike të 72 orëve të fundit ku rrethi i Krujës është përfshirë nga reshje intensive shiu duke shkaktuar kaos e përmbytje në disa zona.

Në fshatin Borizanë, operojnë disa gurore, disa prej të cilave gjenden farë pranë banesave. Në rastin konkret një gurore, e cila ndodhet rreth 100 metra larg banesave, po ju shkakton banorëve mjaft dëme e shqetësime. Banorët shprehen se kjo gurore ka 20 vite që po iu shkatërron shtëpitë dhe pronat, pavarësisht se janë ankuar apo e kanë denoncuar disa herë në prokurori, polici e bashki.

Madje disa prej banorëve janë në proces gjyqësor me kompaninë që zotëron guroren. Gurorja sipas tyre është në pronësi të Shpresiona Shima, pronare e kompanisë ‘Shpresiona Albania shpk’ e cila operon në zonë përreth 20 vitesh. Banorët thonë se gurorja ka bllokuar përroin e Maçanës, i cili buron në mënyrë natyrore fare pranë gurores.

Përroi është ekzistues prej shekujsh thonë banorët dhe rridhte në rrjedhën e vet natyrore, të cilën gurorja e ka devijuar dhe bllokuar, duke bërë që sasi të mëdha uji të dalë nëpër rrugë, nëpër oborret e shtëpisë duke shkaktuar dëme të mëdha.

“Problem të madh e kemi sepse këtu nuk është zbatuar ligji. Shteti ka thënë që të shkojë 1700 metra larg banesave. Këto kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, janë vetëm 50 metra larg banesave. Ne e kemi bërë problem disa herë. Janë bërë shumë gurore e na kanë hedhur shumë mbeturina. Na kanë ndotur dhe pusin. Kemi bërë denoncim në gjykatë. Ka qenë në atë kohë Blendi Klosi tek Ministra e Mjedisit dhe asnjë gjë nuk është bërë”, tha njëri prej banorëve.

Janë rreth 1200 banorë të Borizanës, të cilët rrezikohen e dëmtohen në mënyrë të vazhdueshme nga shpërthimet e gurores, por dhe nga bllokimi i përroit. Në vitin 2018 Ministria e Mjedisit pas një peticioni të bërë nga banorët për mbylljen e gurores, i ka kthyer përgjigje duke u siguruar banorëve se gurorja do të mbyllet, por ende në vitin 2025 vendimi nuk është zbatuar.

“S’kemi lënë polici, bashki e njësi pa trokitur. Shpërthejnë minat, merr në telefon policinë, pyesin vetëm a ka vdekur njeri. Problemi i parë është këtu se është devijuar përroi. Më është tharë vreshti, kumbullat, mbolla ullinj, ka hyrë uji i ka prishur, më është prishur pusi, është ndotur. Këtu ka ardhur të fortit, nuk ka tjetër.”

“Prej shpërthimeve të gurores më është carë shtëpia. Më ka rënë guri në oborr, ka qenë duke më vrarë çunin.”

Ata bëjnë apel që shteti të marrë masa ndaj kësaj situate, e cila çdo ditë që kalon po kthehet në problem gjithnjë e më serioz për banorët. Sakaq, nga pamjet shihet sesi sasi të mëdha uji vërshojnë nëpër rrugë e banesa duke marrë çdo gjë përpara.

“S’kemi lënë polici, bashki e njësi pa trokitur. Shpërthejnë minat, merr në telefon policinë, pyesin vetëm a ka vdekur njeri. Problemi i parë është këtu se është devijuar përroi. Më është tharë vreshti, kumbullat, mbolla ullinj, ka hyrë uji i ka prishur, më është prishur pusi, është ndotur. Këtu ka ardhur të fortit, nuk ka tjetër.”

“Ka 20 vite që paguaj 1 milionë lekë në vit duke pastruar kanalet me inertet e gurores. Kemi gjithë këto vite, gurorja është shkaku.”/Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu