Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, 10 prej të cilave janë ende aktive dhe 4 nën monitorim.

Vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona, ku forcat në terren vijojnë të punojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve:

1. Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.

2. 2. Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.

3. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës. Por sot po punohet për shuarjen përfundimtare të zjarrit.

4. Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.

5. Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive.

6. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.

7. Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.

8. Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale.

9. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit. Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.

10. Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë rreth 70 forca të strukturave operacionale.

11. Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.

Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:
• 52 automjete zjarrfikëse
• 680 forca operacionale
• 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
• 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile
Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:
• 140 efektivë të Forcave të Armatosura
• 2 helikopterë nga Forca Ajrore
• 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në

Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Ndërsa sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LARTË” në qarkun e Korçës.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në zonat e ulëta.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse çdo vatër të dyshimtë. Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet jetik në këtë situatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu