Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar gjithsej 26 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, të cilat janë neutralizuar plotësisht falë angazhimit të forcave operacionale në terren. Zjarret janë regjistruar në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Dibër, Korçë, Tiranë, Kukës, Durrës dhe Berat.

Flakët kanë përfshirë kryesisht sipërfaqe me bimësi, duke shkaktuar djegien e rreth 56 hektarëve me pemë, shkurre dhe barishte. Në dy raste, zjarret kanë rënë në një banesë dhe një biznes, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Një ndër vatrat më problematike u shënua në bashkinë e Durrësit, ku zjarri ra në një treg industrial, duke dëmtuar mallra dhe pajisje të shumta, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve.

Një tjetër incident u regjistrua në dy puse nafte në fshatin Kozare, njësia administrative Kozare, bashkia Kuçovë. Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse të bashkisë Kuçovë dhe Beratit, me mbështetjen e Policisë dhe forcave bashkiake. Si pasojë e zjarrit, u dëmtuan dy elektromotorë të puseve të naftës, ndërsa shkak i flakëve u bë këputja e telave të tensionit të ulët.

Në total, për shuarjen e zjarreve u angazhuan 64 automjete zjarrfikëse dhe 449 forca operacionale. Forcat e Armatosura kontribuan me 2 automjete zjarrfikëse, 14 efektivë dhe një helikopter të tipit Cougar.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme pritet një nivel rreziku “i lartë” për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera rreziku vlerësohet “i moderuar”.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme në rast nevoje. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu