Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 25 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ku 4 prej tyre mbeten ende aktive, ndërsa pjesa tjetër është neutralizuar nga forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse.

Zjarret janë regjistruar në bashkitë: Finiq, Vlorë, Selenicë, Elbasan, Prrenjas, Poliçan, Bulqizë, Dibër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tiranë, Kamëz, Vorë, Durrës, Kurbin, Pogradec dhe Korçë.

Vatrat aktive:

  1. “Sotiran”, ndërmjet Tragjas dhe Dukatit (Vlorë) – Zjarri është përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në zonë malore. Aktualisht janë në operim 8 forca zjarrfikëse dhe 7 punonjës të Shërbimit Pyjor. Në ndihmë dje u angazhua helikopteri “Cougar” i Forcës Ajrore.
  2. Fshati Zgërbonjë, Vërtop (Poliçan) – Vatra është nën monitorim, por nuk paraqet rrezik për përhapje.
  3. “Livadhi i Peladhisë”, Zerqan (Bulqizë) – Vijon puna në një terren të vështirë me pisha dhe dëllinja. Përdoren mjete të kalueshmërisë së lartë për ndërhyrje.
  4. “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë (Dibër) – Pavarësisht përpjekjeve intensive gjatë natës, zjarri nuk u izolua. Në terren janë angazhuar 43 forca nga struktura të ndryshme dhe 25 vullnetarë. Ndërhyrja mbështetet edhe nga ajri me helikopter të Forcës Ajrore.

Dëmet dhe përfshirja e banesave

Në dy raste, zjarret janë përhapur në banesa dhe në një godinë biznesi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Përgjithësisht, janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi të ndryshme.

Forcat e angazhuara

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:

  • 30 automjete zjarrfikëse
  • 351 forca operacionale
  • Forcat e Armatosura me 59 efektivë, 1 helikopter, 5 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse, 2 mjete vetëshkarkuese dhe 1 traktor me zinxhirë.

Paralajmërimi për rrezik të lartë

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku i lartë për zjarre pothuajse në të gjitha qarqet. Parashikohen reshje të dobëta deri mesatare në zonën e Shkodrës, në formë shtrëngatash.

Thirrje për kujdes

Sistemi i Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në këto kushte të rrezikshme atmosferike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu