
Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut po përballet me një krizë të thellë, pasi qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski ka nisur procedurën për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevski.
Sipas qeverisë, veprimet e tij kanë ndikuar negativisht në vlerësimin e drejtësisë së vendit, duke sjellë nota të ulëta në Indeksin e Transparencës.
Situata është alarmante, me skandale të shumta që përfshijnë si gjykatësit ashtu edhe prokurorët ndërsa kryeministri Mickoski e ka akuzuar Kocevskin për shkelje ligjore dhe për keqmenaxhimin e Prokurorisë së Lartë, duke argumentuar se ai ka vepruar jashtë kompetencave të tij.
Deklarata e Kryeministrit Mickoski:
“Këshilli i Prokurorëve tani ka dy javë kohë për të dhënë vlerësimin nëse kërkesa për shkarkim ka bazë.”
Qeveria e akuzon Kocevskin se ka vepruar joligjshëm duke e emërur Natasha Kollevskën si ushtruese detyre të Prokurorisë së Lartë Publike, pas pezullimit të Mustafa Hajrullahut. Nga ana e tij, Kocevski ka mohuar akuzat, duke deklaruar se vendimi i tij ka qenë i ligjshëm dhe se nuk ka emërur ushtrues detyre, por një udhëheqës të përkohshëm.
Deklarata e Kryeprokurorit Kocevski:
“Nga ajo që pata mundësi të lexoj në media, arsyeja e Qeverisë për nisjen e procedurës së shkarkimit është pretendimi se zgjedhja e udhëheqësit të Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup nuk është ligjore. Besoj se Qeveria nuk ka pasur të gjitha informacionet relevante dhe të sakta.”
Ndërkohë, Këshilli i Prokurorëve Publikë ka dalë në mbështetje të veprimeve të Kocevskit, duke deklaruar se vendimi i tij ka bazë ligjore.
Deklarata e Kryetares së Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska:
“Ka bazë ligjore për marrjen e një vendimi të tillë. Kjo Prokurori duhet të ketë një prokuror publik që do ta udhëheqë institucionin, patjetër duhet të ketë nënshkrues.”
Shkarkimi i kryeprokurorit mund të ndodhë me vendim të Kuvendit, i cili ka nevojë për 61 vota për ta miratuar. Deri më tani, një shkarkim i tillë ka ndodhur vetëm një herë, në vitin 2017, kur Marko Zvërlevski u shkarkua nga posti i tij pasi konsiderohej i afërt me partinë VMRO-DPMNE.
Lajmi mbetet në zhvillim dhe pritet që Këshilli i Prokurorëve dhe Kuvendi të marrin vendimin për fatin e kryeprokurorit Kocevski në javët në vijim./Euronews