Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar dy punonjës të policisë, pas hetimeve që zbuluan falsifikimin e dokumenteve të besueshmërisë për punësimin e Muçi Shaljanit në strukturat e saj.

Në pranga kanë rënë Nënkomisar B. C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor A. Z., me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë.
Të dy dyshohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas hetimeve të kryera nga AMP, punonjësit dyshohet se kanë përpiluar në bashkëpunim “Vërtetimin e Besueshmërisë” për Muçi Shaljanin, pa pasqyruar në të të dhëna që përbëjnë shkak për cenimin e kushteve të sigurisë, siç përcaktohet në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në aktet që rregullojnë funksionimin e agjencive ligjzbatuese.
Ky veprim, sipas AMP-së, bëri të mundur punësimin e Shaljanit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë hetimeve paraprake, u konstatuan shkelje të procedurave ligjore në procesin e rekrutimit, ndaj dokumentacioni i plotë është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për hetim të mëtejshëm dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të mënyrës së rekrutimit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu