Në dhjetor të vitit 1703, pas një fitoreje të mahnitshme të flotës angleze dhe holandeze kundër flotës franceze, një diplomat anglez i zgjuar dhe me influencë, John Methuen, e bindi Mbretin e Portugalisë të nënshkruante një marrëveshje tregtare. Ajo eliminonte tarifat për tekstilet angleze që hynin në Portugali dhe i jepte verës portugeze trajtim preferencial në Angli. Në dekadat që pasuan, tregtia midis dy vendeve lulëzoi në të dy produktet. Ky shkëmbim i tekstilit anglez dhe verës portugeze do të bëhej legjendë.

Shembulli i tekstilit dhe verës u përdor nga ndërmjetësi i bursës, i kthyer në ekonomist, David Ricardo në vitin 1817 për të shpjeguar pse nga tregtia më e lirë ndërkombëtare përfitojnë të gjitha vendet, për sa kohë që ato specializoheshin në atë që prodhonin më me efikasitet. Parimi i avantazhit krahasues i Ricardo-s është lavdëruar nga breza të tërë ekonomistësh fitues të Nobelit, si një nga njohuritë më të mëdha të profesionit.

Paul Samuelson e quajti atë një bazë “të bukur” dhe “të patundshme” për tregtinë ndërkombëtare. Paul Krugman, duke formuar konsensusin pro-globalizimit në vitet 1990, shkroi se ideja e Ricardo-s ishte: “plotësisht e vërtetë, jashtëzakonisht e sofistikuar — dhe shumë e rëndësishme për botën moderne.”

Ricardo ka qenë i dobishëm herë pas here. Kur ekonomisti i Shtëpisë së Bardhë, Greg Mankiw, hasi në polemika politike në vitin 2004 për të thënë se zhvendosja e vendeve të punës amerikane jashtë vendit ishte “ndoshta një përfitim për ekonominë në planin afatgjatë”, ai u mbështet në teorinë 200-vjeçare. Siç shpjegoi The New Yorker, ekonomistët ende mbështeten te njohuria “jashtëzakonisht e fuqishme” e Ricardo-s: historia e “Anglisë që shkëmbente tekstilet e saj të tepërta me verën e tepërt të Portugalisë, në dobi të konsumatorëve në të dy vendet”.

Sikur publiku dhe politikanët të mund të kuptonin logjikën kundërintuitive të idesë “së vështirë” të Ricardo-s, sugjeroi Krugman, atëherë opozita ndaj tregtisë së lirë do të zhdukej. Problemi, shkroi Mankiw, ishte se publiku ishte “më keq se injorant” për politikën e mirë të tregtisë.

Tani, me luftërat tarifore të Trump dhe taktikat e tij të “brinkmanship” (politikës së luajtjes me zjarrin), zëra të ngjashëm janë dëgjuar sërish. Ajo që na duhet në epokën e Trump-it, shkroi ekonomisti Justin Wolfers kohët e fundit — duke tradhtuar një përkushtim pothuajse fetar — është “një predikim për avantazhin krahasues të Ricardo-s dhe përfitimet nga tregtia”. Megjithatë, çuditërisht, shumë pak teoricienë ekonomikë kanë hetuar historinë e vërtetë dhe të ndërlikuar të tregtisë.

Ari, tekstile dhe zinxhirë

Të gjitha fuqitë e mëdha ekonomike — Britania, Gjermania dhe po, edhe SHBA-ja dhe Kina — u ngritën në pozicionin e tyre duke mbrojtur industritë e tyre me tarifa të larta. Edhe një vështrim i shpejtë mbi shembullin e preferuar të ekonomistëve për tregtinë fitimprurëse midis Anglisë dhe Portugalisë zbulon një pamje krejtësisht të ndryshme.

Siç e përshkruaj në librin tim Ëndrra e Ricardo-s, shkëmbimi klasik anglo-portugez kishte të bënte me politikën dhe pushtetin, jo vetëm me ekonominë. Fitorja detare në Betejën e Gjirit të Vigo-s në 1702 ishte kaq e rëndësishme, sepse Perandoria e sëmurë portugeze ishte e bllokuar në një ngërç gjeopolitik midis fuqive në ngritje të veriut, Anglisë dhe Francës.

John Methuen nënshkroi dy traktate ushtarake me portugezët përpara se të finalizonte marrëveshjen tregtare. Me Traktatin e Tekstileve dhe Verës, Portugalia nuk bleu vetëm produkte, por edhe mbrojtje.

Marrëveshja ndihmoi në shkatërrimin e industrisë portugeze të tekstileve, ashtu siç kishte parashikuar Methuen, dhe madje edhe eksportet e shtuara nga portet e saj lanë një deficit tregtar të madh me Anglinë, dekadë pas dekade. Tregtia midis dy vendeve u ekuilibrua me një mall që pothuajse kurrë nuk përmendet nga teoricienët e tregtisë: arin nga Brazili.

Portugezët zbuluan ar në koloninë e tyre të Amerikës së Jugut në vitet 1690. Ethet e arit brazilian zgjatën gjatë gjithë shekullit të 18-të dhe dyfishuan prodhimin botëror. Më shumë se gjysma e këtij ari përfundoi në Londër (duke pasuruar, ndër të tjerë, edhe Sir Isaac Newton-in).

Flukset e arit nuk ishin sekret. Madje edhe Adam Smith, ekonomisti klasik bashkëkohës i Ricardo-s, shkroi:

“Thuhet se pothuajse i gjithë ari ynë vjen nga Portugalia” ose, më saktë, nga “Brazili”. Megjithatë, këto lidhje rrallëherë theksohen.

Një produkt tjetër, i përjashtuar nga historia konvencionale, bëhet i dukshëm kur shqyrtojmë se si nxirrej ari. Bëhet fjalë për një produkt që sot nuk lejohet më të tregtohet ligjërisht: qeniet njerëzore.

Ethet e arit brazilian u mbështetën në një numër të madh afrikanësh të skllavëruar, të transportuar me zinxhirë përtej Atlantikut. Ari brazilian fuqizoi tregtinë transatlantike të skllevërve dhe, siç vunë re bashkëkohësit, e shndërroi Bregun e Artë të Afrikës Perëndimore në një “breg skllevërish”.

Por kjo nuk është e gjitha. Një pjesë e madhe e tekstileve angleze — në disa vite rreth 85 për qind — që zbarkonin në portet portugeze, rieksportoheshin në Afrikë për t’u shkëmbyer me burra, gra dhe fëmijë të zënë rob. Nga një këndvështrim historik global, tregtia e tekstileve angleze dhe verës portugeze shfaqet si një shtojcë dhe lehtësuese e tregtisë trekëndore transatlantike.

Por, modeli i famshëm i Ricardo-s i përjashtoi që nga fillimi çështjet e pushtetit, perandorisë dhe shfrytëzimit. Siç ka shkruar Matthew Watson, profesor i ekonomisë politike në Universitetin e Warwick-ut, teoria e Ricardo-s është “një fasadë matematikore pas së cilës marrëdhëniet e vërteta historike sociale të prodhimit në Anglinë dhe Portugalinë reale janë qëllimisht të përjashtuara nga ekuacioni”.

Këto janë “marrëdhënie të qarta shtypëse të prodhimit, të bazuara në punën e skllevërve dhe në mbikëqyrjen imperialiste të hierarkive kombëtare”. Ata që vazhdojnë të mbajnë gjallë historinë e vjetër të tekstileve angleze dhe verës portugeze, i kanë sytë e mbyllur ndaj realitetit.

Sigurisht, episode të tjera të tregtisë ndërkombëtare japin një pamje shumë më të ndritshme: sesi tregtia ka zgjeruar horizontet e njerëzve, qasjen e tyre te produktet dhe qarkullimin e lajmeve dhe kulturës.

Megjithatë, historia anglo-portugeze përputhet me një model të traktateve të ashtuquajtura të pabarabarta, që Britania i imponoi shteteve nominalisht të pavarura — siç ishin Siam-i (Tajlanda), Kina dhe Persia — gjatë shekullit të 19-të. Ekonomisti politik Ha-Joon Chang ka shkruar se kjo periudhë e parë e globalizimit ekonomik u bë e mundur “në masë të madhe nga forca ushtarake, më shumë sesa nga forcat e tregut”.

Reagimi kundër globalizimit

Në vitet 1980, frika nga rritja e një proteksionizmi të ri i shtyu politikëbërësit të krijonin një rrjet të gjerë marrëveshjesh tregtare dypalëshe, rajonale dhe globale. Partitë politike, si të djathta ashtu edhe të majta, përqafuan një lloj shumë specifik të globalizimit, i cili ndonjëherë shihej si një ligj universal, i ngjashëm me gravitetin.

“Tregtia e lirë” u bë një dogmë që u përdor, pjesërisht, për të anuar sistemin global të tregtisë në favor të korporatave të mëdha shumëkombëshe dhe Wall Street-it, duke u dhënë atyre të drejta dhe fuqi të reja dhe duke u rritur ndjeshëm fitimet.

Paga e drejtorëve ekzekutivë u rrit në qiell, ndërsa njerëzit e zakonshëm që punonin shpesh mbetën të humbur, siç ishte rasti i miliona amerikanëve që humbën vendet e tyre të punës për shkak të “tronditjes kineze” — pasi Kina iu bashkua OBT-së në vitin 2001 dhe përmbyti tregun amerikan me produkte të lira.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ekonomistët propagandonin përfitimet e tregtisë, për sa kohë që modelet e tyre tregonin se fituesit mund të kompensonin teorikisht humbësit, pavarësisht nëse kjo ndodhte apo jo. Një aspekt tjetër i përjashtuar nga modelet e ekonomistëve ishte konkurrenca globale për pushtet, gjë që i bëri ata gjithnjë e më pak të rëndësishëm për një klasë politike të fiksuar pas ringritjes së Kinës.

I nxitur pjesërisht nga reagimi kundër globalizimit, Donald Trump fitoi Shtëpinë e Bardhë dhe tani është rikthyer për një mandat të dytë. Ai e mbajti premtimin për t’u larguar nga tregtia e lirë, duke u rrethuar me këshilltarë si Peter Navarro, i cili ka argumentuar se: “Ricardo ka vdekur!”

Natyrisht, Navarro nuk shqetësohet për mënyrën se si Perëndimi ka shfrytëzuar pasurinë e kolonive të tij formale dhe informale, por për faktin se, sipas tij, SHBA-ja është shfrytëzuar padrejtësisht nga kapitalizmi shtetëror i Kinës në shekullin e 21-të.

Kthesa e Amerikës drejt tarifave është një njohje e brishtësisë së saj, jo e forcës. Progresistët do të kundërshtojnë shumë nga zgjidhjet e tij, por Navarro ka të drejtë kur thotë se “profesioni i ekonomistit duhet të bëjë një punë shumë më të mirë se David Ricardo për të modeluar tregtinë në botën reale.”

Tani, Trump po flet me zë të lartë dhe po godet njësoj aleatët dhe armiqtë me një shkop të madh të quajtur ‘tarifa’. Ai ka mobilizuar një ankesë reale dhe të justifikuar kundër hiper-globalizimit për të promovuar një politikë shumë përçarëse dhe potencialisht të dëmshme. Gjatë rrugës, ai ka bërë që pushteti dhe politika e tregtisë, shpeshherë të fshehura ose mohuara, të bëhen të dukshme për të gjithë.

Shkatërrimi kushtetues i javëve të para të mandatit të dytë të Trump-it ka shkaktuar me të drejtë zemërim tek shumë njerëz. Por për çështjen e tarifave, dëshira për t’u kthyer te “të vërtetat e vjetra të Ricardo-s” dhe për të argumentuar se ato janë gjithmonë dhe kudo të dëmshme është një rrugë pa krye.

Të kundërshtosh Trump-in me teori ekonomike “përrallore” që ndihmuan në ngritjen e tij është si të përpiqesh të shuash një zjarr shtëpie me shkrepëse. Opozita ndaj politikave të dëmshme të Trump-it kërkon një bazë më të fortë.

Na duhet një ekonomi e re, vërtet progresiste, me sytë e fokusuar në botën reale dhe në historinë e saj, dhe jo në modele abstrakte të ndërtuara mbi jorealitetin. Kjo ka filluar të shfaqet gjatë dekadës së fundit.

Po rritet pranimi i faktit se nëse tarifat janë të mira apo të këqija varet nga konteksti, se ka një ndryshim midis tarifave të synuara dhe atyre të përgjithshme dhe se format e reja të proteksionizmit mund të ndihmojnë në reduktimin e pabarazisë apo shkatërrimit ekologjik.

Shumëçka varet nga fakti nëse ekonomia mund të vazhdojë të evoluojë në një fushë studimi që është, për ta thënë me një shprehje, vërtet e saktë, e sofistikuar dhe e rëndësishme për botën moderne./ Financial Times

* Nat Dyer, autor, libri i tij i parë, Ricardo’s Dream: How Economists Forgot the Real World and Led Us Astray (Ëndrra e Ricardo-s: Si ekonomistët harruan botën e vërtetë dhe na çuan gabim), analizon ndikimin e teorive ekonomike, veçanërisht ato të David Ricardo-s, në zhvillimin e ekonomisë moderne dhe politikat ekonomike.

* Teoria e David Ricardo është një nga teoritë më të njohura në ekonominë klasike, e cila ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e mendimit ekonomik. Ai është i njohur për teorinë e tij të avantazheve krahasuese, e cila lidhet me tregtinë ndërkombëtare. Kjo teori sugjeron që çdo vend duhet të prodhojë dhe të eksportojë ato produkte për të cilat ka një avantazh të krahasueshëm në prodhim dhe të importojë ato për të cilat ka një disavantazh krahasuar me vendet e tjera. Një shembull klasik që përdori Ricardo ishte krahasimi i prodhimit të veshjeve dhe verës në dy vende: Anglia dhe Portugalia. Edhe pse Anglia mund të prodhojë më shumë veshje dhe verë për njësi kohe se Portugalia, teorikisht, Anglia do të fokusohej në prodhimin e veshjeve dhe Portugalia do të fokusohej në prodhimin e verës, duke i lejuar të dyja vendet të përfitojnë nga tregtia./ Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu