
Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet sot për të shqyrtuar propozimin për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Kërkesa mbështetet në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku parashikohet shkarkimi i kryebashkiakut nëse ai nuk paraqitet në detyrë për tre muaj rresht. Sipas këshilltarëve, prej 10 shkurtit – kur Veliaj u arrestua – Tirana është pa një drejtues të zgjedhur dhe ka nevojë për një kryetar aktiv.
Pas komisionit, në orën 16:00, do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të marrë vendimin final. Ende mbetet e paqartë nëse Veliaj do të marrë leje për të qenë i pranishëm në mbledhje, por i është lënë mundësia që të dërgojë një qëndrim me shkrim.
Për herë të rrallë, duket se mazhoranca dhe opozita janë në një mendje: edhe PD ka njoftuar se do të votojë pro shkarkimit.
Nëse vendimi miratohet, ai i kalon Këshillit të Ministrave për miratim, dhe më pas Presidentit të Republikës, i cili duhet të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh.
Megjithatë, Veliaj ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese, çka do të pezullonte përkohësisht zbatimin e tij.
Disa ditë më parë, Veliaj i dërgoi një letër Këshillit Bashkiak duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli iu përgjigj se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim.
Veliaj replikoi duke i kujtuar se Sekretari nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial, pasi kompetencat e tij janë vetëm administrative.
Sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi.Ai thekson se nuk i është garantuar e drejta për t’u dëgjuar, ndërsa shtoi se prania e tij në sallë duhej të vendosej nga Këshilli Bashkiak, edhe pa kërkesën e tij. Për këtë arsye, Veliaj i kërkoi Këshillit që të shprehet me votë për pjesëmarrjen e tij.
Kujtojmë se Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni./oranews