Syri Tv u interesua pranë spitalit të Traumës dhe Spitalit Mbretëresha Geraldinë për të mësuar më shumë prej rastit, por këto institucione u treguan hermetike, ndërkohë që ministria Albana Koçiu, vijonte propagandën me rastin.
Pas refuzimit nga dy spitale, gazetarët e Syri Tv arritën të flisnin me nënën e re, e cila së bashku me fëmijën gëzojnë shëndet të plotë dhe po marrin kujdesin e duhur nga stafi mjekësor.
E reja ka rrëfyer jashtë kamerave, se ndërsa kishte ndjerë shenjat e para të lindjes ka telefonuar Urgjencën Kombëtare, që ti dërgonin autoambulancë për ti ardhur në ndihmë, por ndihma i është refuzuar.
Zgjidhja e operatorit telefonik të Urgjencës Kombëtare ishte që e reja të ikte me makinën e saj në spital, pasi do të shkonte më shpejtë, duke parashikuar që rrugët kishin trafik të rënduar për shkak se kishte një protestë pesë kilometra larg itinerarit që do të përshkruante autoambulanca.
Urgjenca Kombëtare ndodhet pranë Spitalit të Traumës, ku gjithashtu është edhe një prej stacioneve të qëndrimit të autoambulancave, ndërkohë nëna e re që kërkonte ndihmë banonte në zonën e Fushës së Aviacionit, që në linjë ajrore por edhe rrugore janë në më pak se 1 km, dhe shumë kilometra larg vendit ku mbahej protesta.
Nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, kemi mësuar se sot me nënën e re ka kërkuar që të zhvillojë një takim dhe regjistrim propagandistik edhe ministrja Albana Koçiu, por kjo kërkesë është refuzuar nga ana e familjarëve që duket se nuk kanë pranuar përdorimin e një prej momenteve më të lumtura të jetës së tyre.
“Më kanë kërkuar që në mëngjes që të të flas për mediat, por i kam refuzuar për shkak se në momentin që unë kisha nevojë për ndihmë as Ambulanca por as policia nuk ishin aty e nuk më dhanë ndihmë”- u shpreh jashtë kamerave nëna e re.
Për hir të transparencës, Syri Tv kontaktoi edhe me urgjencën Kombëtare për të marrë informacion se cila ishte arsyeja që iu refuzua ndihma e parë nënës së re, por deri në këtë moment nuk kemi një përgjigje. /Syri Tv