NGA Tony Weselowsky

yacht hotel sarande

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është i siguruar, sipas zyrtarëve të fushatës së tij.

Byroja Federale e Hetimeve, FBI, konfirmoi se Trump – kandidat i Partisë Republikane për president – ka qenë, mesa duket, shënjestër e një “përpjekjeje për ta vrarë” në fushën e tij të golfit në Floridë, më 15 shtator.

Incidenti ndodhi vetëm dy muaj pasi Trump i mbijetoi një atentati në një tubim në Pensilvani.

Ai do të përballet në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit me kandidaten e Partisë Demokratike, Kamala Harris, aktualisht nënpresidente.

Rritje e simpatisë për Trumpin?
Lajmet për Trumpin së voni nuk ishin të mira, sidomos që nga debati i tij i fundit me Harrisin.

Komentet e pabazuara të Trumpit, se migrantët nga Haiti hanë kafshë në një qytet të Ohajos, u shndërruan shpejt në tallje.

Megjithatë, tentativa e fundit e mundshme për atentat mund t’i ndryshojë gjërat në favor të tij.

Ripërqendrimi i debatit
Fushata e Trumpit mund të përpiqet ta ripërqendrojë debatin te çështjet që lidhen me ligjin dhe rendin, si dhe te kërcënimet për dhunë politike – ndoshta edhe duke u përpjekur për t’i fajësuar kundërshtarët për përgjegjësi në nxitjen e armiqësive, së paku në mënyrë jodirekte.

Presidenti amerikan John F. Kennedy dhe gruaja e tij duke kaluar nëpër qendrën e Dallasit më 1963, disa momente para se të vritej.

Pas atentatit të parë kundër Trumpit në Pensilvani, ka pasur thirrje nga anëtarët e Partisë Republikane që Kimberly Cheatle, udhëheqëse e Shërbimit Sekret, që është përgjegjës për mbrojtjen e udhëheqësve politikë në SHBA, të japë dorëheqje. Ajo, pastaj, dha dorëheqje.

Në incidentin e fundit, duket se Shërbimi Sekret ka vepruar shpejt, duke e kapur të dyshuarin, por, megjithatë, mund të shqyrtohet niveli i mbrojtjes që u jepet kandidatëve presidencialë.

Fox News – kryesisht dashamirës i Trumpit dhe Partisë Republikane – nuk u fokusua në dështimin e tentativës, por në faktin se i armatosuri i dyshuar ka qenë në gjendje ta drejtojë pushkën e tij sulmuese përmes një gardhi, përpara se agjentët e Shërbimit Sekret të qëllonin.

Është e mundur që incidenti të bëjë që Trump t’i reduktojë paraqitjet e tij politike në publik dhe ta përqendrojë më shumë vëmendjen në fushatën digjitale.

Polarizim më i madh
Shtetet e Bashkuara janë tashmë thellësisht të polarizuara politikisht dhe ky incident ka të ngjarë vetëm ta përkeqësojë situatën.

Pas incidentit të 15 shtatorit, presidenti Joe Biden dhe Harris e dënuan atë që të dy e cilësuan si “dhunë politike”.

Megjithatë, mbështetësit e Trumpit do ta shohin atë si viktimë të dhunës politike, ndërsa kundërshtarët mund ta cilësojnë incidentin si provë të përçarjes që Trump e shkakton.

Rikthimi i Ukrainës në qendër të vëmendjes
Sulmuesi i dyshuar është identifikuar si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Havajet.

Ai kishte histori kriminale që nga vitet 1990.

Në mediat sociale, ai ishte kritik ndaj Trumpit, edhe pse tha se e kishte mbështetur atë në vitin 2016.

Sipas postimeve në mediat sociale, Routh, gjithashtu, dukej se kishte pikëpamje proukrainase.

Ai udhëtoi jashtë shtetit në vitin 2022, mesa dukej me qëllim për të luftuar me Ukrainën kundër Rusisë.

Por, një përfaqësues nga legjioni i huaj i Ukrainës i tha CNN-it se “ai kurrë nuk ka qenë pjesë e legjionit” dhe se “nuk ka bashkëpunuar me ne në asnjë mënyrë”.

Routh u bëri thirrje të tjerëve që t’i merrnin armët për Ukrainën dhe ishte intervistuar nga disa organizata lajmesh, përfshirë The New York Times dhe Semafor, në vitin 2023./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu