Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me hetimin që po zhvillon SPAK ndaj saj.

Në një deklaratë për mediat, Balluku tha se çështjet juridike duhet të trajtohen nga drejtësia dhe jo në media apo në rrjetet sociale, duke theksuar se ndaj saj po zhvillohet një “gjyq publik”.

Ajo u shpreh se nuk e ka penguar asnjëherë hetimin dhe se ka besim te drejtësia.

“Prokurorë e gjyqtarë do bëjnë detyrat e tyre pa ndikuar nga gjyqet publike, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat. Hetimin që ka nisur prej muajsh nuk e kam penguar kurrë”, deklaroi Balluku.

Duke iu përgjigjur akuzave dhe pretendimeve për pasurinë e saj, ajo mohoi kategorikisht se zotëron qindra prona apo mjete luksoze.

“Nuk kam as 300 dhe as 30 apartamente. Nuk kam as limuzina, as jahte, as helikopterë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik”, u shpreh ish-ministrja.

Balluku shtoi se është përballur shpesh me akuza publike gjatë karrierës së saj dhe se do të vijojë të mbrojë qëndrimin e saj duke respektuar procesin ligjor.

Hetimi ndaj saj lidhet me dyshimet e SPAK për shkelje në procedurat e tenderave publikë, përfshirë projekte infrastrukturore me vlerë mbi 200 milionë euro, akuza të cilat Balluku i ka mohuar vazhdimisht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu