Policia ka zbardhur grabitjen e një taksisti pak ditë më parë në zonën e ish-Bllokut.
Atij i janë grabitur plot 220 mijë euro.
Sipas policisë, grabitësit janë 4 shtetas gjeorgjianë, të cilët janë shpallur në kërkim.
Taksisti po transportonte çantën me shumën 220 mijë euro, siç pretendon shoferi nga një pikë e këmbimit valutor në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut.
Në një moment dy persona që kanë qenë duke lëvizur me motor dhe skafandra janë afruar, kanë thyer xhamin e dritares ku ishte çanta me para.
Njëri prej tyre ka futur kokën, e ka marrë dhe janë larguar me shpejtësi.
Gjeorgjianët e shpallur në kërkim janë:
Levan Kiria, 30 vjeç
Tengiz Natchkebia, 36 vjeç
Noshrevani Kutalia, 30 vjeç
Yousuf Bozkurt, 31 vjeç
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Taxi”, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja e një shume parash në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, më datë 04.10.2024.
Punohet për kapjen e 4 shtetasve gjeorgjianë, autorë të dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 04.10.2024, ku në zonën e ish-Bllokut, disa shtetas kanë vjedhur një shumë parash në një taksi, kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Taxi”.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë shtetasit L. K., 30 vjeç, T. N., 36 vjeç, N. K., 30 vjeç, dhe Y. B., 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje./Tema