Qeveria turke ka bërë të ditura disa nga detajet e zbatimit të marrëveshjes për këmbimin e të burgosurve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Këmbimi u bë në aeroportin e Ankarasë, Esenboga.

Në mesin e 16 të burgosurve politikë të liruar nga burgjet ruse, janë gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovic, ish marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja e Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.

yacht hotel sarande

Në një deklaratë të zyrës së presidentit turk thuhet se pasi individët e përfshirë mbërritën në Turqi, ata u larguan nga avionët nën mbikqyrjen e Agjencisë Kombëtare turke të Zbulimit, dhe u dërguan në “vende të sigurta.”

Pas miratimit të këmbimit nga shtetet e angazhuara në marrëveshjen për këmbim, të liruarit iu nënshtruan kontrolleve mjekësore dhe iu plotësuan nevoja të tjera.

Pastaj ata u përcollën në aeroplanët që do t’i dërgojnë në destinacionet e tyre.

Avionët u nisën pasi morën autorizimin nga agjencia turke e zbulimit.

Sipas një zyrtari turk të sigurisë, shefi i shërbimit të zbulimit turk, Ibrahim Kalin, personalisht kishte lehtësuar bisedimet ndërmjet homologëve të tij amerikanë dhe rusë.

Bisedimet u mbajtën në Stamboll dhe Ankara, sipas zyrtarit që foli me agjencinë Associated Press me kusht që të mos identifikohet me emër. Sipas tij, Uashingtoni dhe Moska kishin kërkuar ndihmën e Turqisë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pastaj e kishte ngarkuar zotin Kalin të “bëjë çdo gjë që është e nevojshme” për të siguruar marrëveshjen.

Presidenti Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris do t’u bashkohen familjarëve të të burgosurve amerikanë në bazë bazën ushtarake Andrews, në periferi të Uashingtonit në mbrëmjen e së enjtes për t’u uruar mirëseardhjen në tokën amerikane, sipas Këshilltarit për siguri kombëtare Jake Sullivan.

Aktivisti Vladimir Kara-Murza do të shkojë në Gjermani, por gjatë telefonatës i tha Presidentit Biden se shpreson që së shpejti të vizitojë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden tha se marrëveshjet për këmbimin e të burgosurve u arrit “përmes disa vendimeve të vështira”.

Ai shprehu mirënjohje të thellë për kancelarin Olaf Scholz. Sipas zotit Biden, marrëveshja “nënkuptoi se duhej të kërkoja disa lëshime serioze nga Gjermania.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu