Si e lexon Berisha mesazhin e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet
Si e lexon Berisha mesazhin e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet
Tiranë, 28 maj 2025 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mesazhin e Ambasadës së SHBA pas zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se nuk ishte një urim për Edi Ramën, por një goditje direkte për të.“Pse nuk e përshëndeti Edi Rama atë urim?”, pyeti Berisha në një deklaratë për mediat. “Ai po e priste si diçka hyjnore atë urim. Pse nuk e përshëndeti? Faktikisht është asgjësimi i Edi Ramës,” u shpreh ai.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të lexojnë deklaratat e mëparshme të Ambasadës Amerikane dhe t’i krahasojnë me këtë të fundit për të kuptuar diferencën. Ai përmendi gjithashtu deklarata të mëparshme të senatorit amerikan Rubio për zgjedhje në vende të tjera.

Vota e diasporës, “farsa më e madhe”

Duke folur për procesin zgjedhor, Berisha e cilësoi votën e diasporës si një “krim madhor elektoral” të orkestruar nga qeveria. Ai akuzoi strukturat e PS dhe përfaqësues diplomatikë për manipulim të votës në Greqi, Itali dhe vende të tjera.

“Në Fier, PD merrte në çdo kuti saktësisht 21 vota. Në Vlorë, 26. Këto janë shifra të fabrikuara. Ky është manipulim në shkallë industriale,” deklaroi Berisha, duke sjellë të dhëna të përsëritura nga kutitë e votimit.

Front i përbashkët kundër regjimit

Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk do t’i njohë rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe bëri thirrje për krijimin e një fronti të përbashkët në Shqipëri dhe diasporë kundër regjimit të Ramës.

“Ne nuk do i pranojmë kurrë këto zgjedhje. Duhet të krijohet një front i përbashkët kundër këtij regjimi. Kjo është vetëm nisja e betejës për të drejtat tona,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, “narkoshteti” ka kapur çdo aspekt të procesit zgjedhor, duke e shndërruar atë në farsë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu