Operatori i Energjisë së Rinovueshme përcaktohet si palë kontraktuese dhe blerësi i energjisë së prodhuar nga këto burime, si dhe shpërndarësi në tregun e organizuar. Pjesë e këtij komuniteti mund të jenë individë, kompani, apo institucione publike që investojnë te këto burime.
Depozitimi është koncepti tjetër që u jep mundësi prodhuesve që ta shesin energjinë në një moment të dytë nga prodhimi. Kostot për depozitimin variojnë nga teknologjia e përdorur, kapacitetet dhe kohëzgjatja e ruajtjes. Aktualisht, ato luhaten nga 140 deri në 250 euro për kilovat.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 16, të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N DO S I:
Përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të jetë blerësi i energjisë elektrike i të gjithë prodhuesve me përparësi, që janë me mbështetje në formën e një marrëveshjeje të blerjes së energjisë (MBE) dhe do ta shpërndajë këtë energji direkt në tregun e organizuar.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të ketë përgjegjësi kontraktore ndaj çdo prodhuesi me përparësi për mbulimin e pagesave, që rezultojnë nga çdo kontratë për mbështetje, sipas ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., menaxhon fondin e mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili përllogaritet dhe përdoret për të mbuluar kostot e skemave mbështetëse, si më poshtë vijon:
Diferencat e pagueshme, ndërmjet çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e një CfD-je dhe pagesave të prim-it për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e kontratave për prim;
Tarifat nxitëse për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e MBE-ve;
Kostot e përditshme operative dhe të mirëmbajtjes së Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., duke përfshirë, por pa u kufizuar në koston e financimit, aksesin në treg, kapitalin qarkullues dhe koston e sigurimit të rezervave për të siguruar likuiditetin financiar dhe aftësinë e pagesave të fondit të mbështetjes së rinovueshme në baza të vazhdueshme.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., për realizimin e qëllimit, në zbatim të politikave për mbështetjen e energjisë nga burime të rinovueshme, propozon modelin e operimit për energjinë nga burimet e rinovueshme, duke u bazuar në vlerësimin e në krahasimin me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe propozon përmirësimin ose përshtatjen e nevojshme në aktet ligjore e nënligjore për burimet e rinovueshme.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të përgatisë modelin e biznesit të tij, përfshirë planin ekonomik të veprimtarisë, i cili planifikohet të zbatohet, me qëllim kalimin në operim të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., mbështetur në përcaktimet e legjislacionit në fuqi për burimet e rinovueshme dhe legjislacionit në fuqi për sektorin e energjisë.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., për qëllime të kalimit në operim, propozon pranë ministrisë përgjegjëse për energjinë, bazuar në vlerësimet ekonomike dhe ligjore të realizuara, procesin e llogaritjes dhe përditësimit sistematik të fondit të mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të propozojë edhe formën e financimit të nevojshëm për të mundësuar ngritjen e strukturës organizative, teknike dhe financiare për kalimin në operim të tij, të cilat shqyrtohen dhe miratohen në përputhje me ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., është shoqëri aksionare, aksionet e së cilës do të zotërohen 100% nga ministria përgjegjëse për energjinë, e krijuar në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, në momentin e krijimit.
Kapitali fillestar për krijimin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., është 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Efektet financiare për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie, pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Furnizuesi i Tregut të Lirë, sh.a., deri në kalimin në operim të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., ngarkohet të vijojë realizimin e detyrave të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., si dhe të vërë në dispozicion të tij të gjitha të dhënat e mbledhura përgjatë veprimtarisë së tij, si subjekt i ngarkuar për realizimin e këtyre detyrave.
Vendimi nr.275, datë 16.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e operatorit të energjisë së rinovueshme”, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave