
Pas disa ditësh me flakë në përmasa alarmante, mbrëmjen e së hënës është shuar zjarri në zonën turistike të Syrit të Kaltër. Situata u bë veçanërisht kritike gjatë natës në fshatin Pecë, pranë zonës së prekur, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuimin e banorëve.
Shërbimet zjarrfikëse të Finiqit, Delvinës dhe Sarandës, së bashku me banorët, punuan pa ndërprerje për të ndaluar përhapjen e flakëve. Terreni i thyer malor dhe era e fortë vështirësuan ndërhyrjen, ndërsa zjarri arriti deri në rrugën nacionale.
Mëngjesin e sotëm, dy helikopterë janë përfshirë në operacion për të shuar vatrat e mbetura, duke garantuar kështu stabilizimin e situatës.