Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i njohur i humorit Mane Lumani, një prej figurave më të dashura të skenës shqiptare dhe pjesë e grupit legjendar 4 Parodistët e Vlorës.

Lumani la gjurmë të pashlyeshme në historinë e humorit shqiptar, duke qenë për dekada një nga zërat më të spikatur të satirës dhe parodisë. Që prej vitit 2004 ai nuk fliste më, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në fyt, ku iu hoqën kordat vokale për shkak të një mase tumorale.

Karrierën artistike e nisi në vitin 1974 si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës në Vlorë, ku u dallua për talentin dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të imituar figura të ndryshme. Formimi i grupit “4 Parodistët e Vlorës” shënoi një kthesë të rëndësishme për humorin shqiptar.

Së bashku me Agron Hoxha, Afrim Agalliu dhe më vonë Muhamet Lika, Mane Lumani krijoi një stil unik, të mbushur me satirë të hollë dhe ironi inteligjente, që pasqyronte realitetin shoqëror e politik të kohës.

Humori i tyre jo vetëm argëtonte publikun, por shërbente edhe si kritikë e mprehtë e fenomeneve të përditshme. Mane Lumani mbetet një figurë e paharruar e kulturës shqiptare, një artist që solli buzëqeshje në çdo skenë ku performoi.

Trashëgimia e tij jeton përmes kujtimeve të artdashësve dhe brezave që u rritën me paroditë e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu