Një atmosferë kaosi dhe ankthi është krijuar në disa nga aeroportet më të mëdha të botës, pasi mijëra të huaj që punojnë në SHBA me viza H-1B, u përballën me një vendim të befasishëm nga administrata Trump.

Në një urdhër të lëshuar të premten, 19 shtator, presidenti Donald Trump shpalli tarifa të reja për kompanitë që aplikojnë për punonjës me vizë H-1B, si pjesë e asaj që ai e quan “reformim i nevojshëm i tregut të punës”.

Teksa lajmi për tarifat shpërndahej me shpejtësi në media dhe rrjete sociale, kompani gjigante si Microsoft, Amazon, Google dhe Goldman Sachs, u dërguan njoftime urgjente punonjësve jashtë vendit, duke u kërkuar të kthehen menjëherë në SHBA.

Një fluturim i linjës Emirates nga San Francisko drejt Dubait u vonua për më shumë se tre orë, pasi disa pasagjerë kërkuan të zbrisnin nga avioni sapo morën njoftimet nga punëdhënësit e tyre.

“Ishte një moment kur duhej të zgjidhnim mes familjes dhe të ardhmes sonë në SHBA”, thotë një inxhinier indian, i cili kërkoi të mbetej anonim. Në rrjetet sociale, persona nga India dhe Kina ndanë përvojat e tyre të kthimit të nxituar në SHBA.

Një grua që udhëtonte drejt Parisit me miqtë, tregoi se anuloi gjithçka pasi kompania i kërkoi të kthehej.

Të tjerë e krahasuan situatën me pandeminë e COVID-19, ku gjithashtu u detyruan të ktheheshin para se të mbylleshin kufijtë. Për shumë nga këta profesionistë të fushës së teknologjisë, që kanë jetuar me vite në SHBA, kjo masë shihet si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të ardhmes së tyre.

Tarifa e re e shpallur nga sekretari i Tregtisë është 100 mijë dollarë për çdo aplikim për vizë H-1B. Por Shtëpia e Bardhë sqaroi se bëhet fjalë për një tarifë njëherëshe, jo vjetore. Ekspertët e imigracionit paralajmërojnë se kjo lëvizje mund të dëmtojë konkurrencën amerikane në teknologji dhe të largojë talentin ndërkombëtar.

Për mijëra familje emigrantësh në SHBA, kjo javë solli jo vetëm pasiguri ligjore, por edhe një tjetër goditje ndaj ëndrrës amerikane. Dhe teksa urdhri hyn në fuqi, shumë prej tyre janë ende në udhëtim, me valixhe plot pyetje dhe zemra të rënduara nga frika për të ardhmen./Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu