
Shtyhet për në datën 5 janar, ora 09:00, seanca paraprake ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë. Vendimi u mor sot, 12 dhjetor, gjatë seancës që u zhvillua në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës.
Kujtojmë se trupa gjykuese pasi të shqyrtojë argumentet mbrojtëse të avokatëve të Veliajt dhe të të akuzuarve të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje, do të vendosë nëse çështja kalon ose jo për gjykim.
Kryebashkiakut të Tiranës iu refuzua sot kërkesa që gjykata të revokonte vendimin e saj të mëparshëm dhe ta lejonte të dilte nga kafazi i qelqtë për t’i vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe një formë që ai të njihej me to.
Veliaj kërkonte që të zbatohej i njëjti standard i vendosur me të pandehur të tjerë që kanë bërë të njëjtën kërkesë.
“Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate“, thuhej në kërkesë.
Por edhe kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Etleva Deda. Pas këtij vendimi, Veliaj, i cili ishe i pranishëm në sallë, largoi avokatin e tij, Artan Gjermëni. Për këtë arsye gjykata i caktoi një avokat shteti për të vijuar me procedurat, e cila është Valentina Teodoresku.
Sjellim ndërmend se seanca e kaluar u shty për shkak se avokatët nuk kishin bërë gati mbrojtjen për Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe të dyshuarit e tjerë.
SPAK, me anë të një reagimi publik më 5 dhjetor 2025, deklaroi se procesi gjyqësor është zvarritur për shkak të shtyrjes së tetë seancave, të cilat, sipas institucionit të drejtësisë, janë shkaktuar nga mungesa të pajustifikuara të avokatëve mbrojtës dhe kërkesa të tyre të pabazuara.
Prokuroria e Posaçme theksonte se mbrojtësit e Veliajt kanë marrë kopjen e plotë të akteve hetimore që në datën 24 korrik 2025, fakt i dokumentuar me procesverbal. Po ashtu, në tetor 2025, avokati i zgjedhur ka kërkuar vetë një kopje të akteve shtesë, duke konfirmuar marrjen e materialeve të mëparshme.
Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes të premten e kaluar.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak./klan






