Është shtyrë mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Mbledhja u zhvillua paraditen e kësaj të premteje rreth orës 10:30, por u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me mënyrën e zhvillimit të saj, veçanërisht nëse duhej të mbahej me dyer të mbyllura. Deri në këto momente, nuk është caktuar një datë e re për rifillimin e shqyrtimit të çështjes.

Në rendin e ditës ishte kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së Belinda Ballukut, përmes zëvendësimit të masave të sigurisë.

Sipas relacionit të SPAK dërguar Kuvendit, situata penale e Ballukut është rënduar. Prokuroria vlerëson se ekzistojnë kushte për një masë më të rëndë sigurie, pasi ajo dyshohet se ka manipuluar të paktën 11 procedura tenderimi, ndërsa ekziston rreziku i ndërhyrjes në prova, ndikimit te dëshmitarët dhe mundësisë së largimit nga vendi.

Në dokumentin e SPAK theksohet se, edhe pas marrjes së statusit të të pandehurës, Balluku dyshohet se ka ushtruar presion ndaj vartësve të saj, në një kohë kur ushtronte ende funksione ekzekutive. Prokuroria argumenton se pozicioni i saj si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë paraqet rrezik real për procesin hetimor.

SPAK rendit si pjesë të hetimit, përveç tenderit të Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro dhe 7 loteve të Unazës së Madhe me vlerë rreth 450 milionë euro, edhe tre tendera të tjerë, për të cilët dyshohet se fituesit janë përcaktuar paraprakisht.

Prokuroria ka kërkuar që shqyrtimi i kërkesës për imunitetin të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor dhe provave të reja që, sipas saj, nuk kanë qenë objekt i vendimeve të mëparshme gjyqësore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu