Në Shqipëri konfliktet mes të miturve janë shtuar duke u shoqëruar në disa raste me kërcenime, plagosje e deri në përdorimin e dhunës ekstreme. Psikologë dhe përfaqesues të organizatave joqeveritare pohojnë se, situata që po përjetojnë një pjesë e të rinjve dëshmon për krizën që po kalon vetë shoqëria shqiptare.

Shtimi me shpejtësi i rasteve të dhunës mes e miturve, sipas psikologut Altin Nika, dëshmon për krizën që po kalon vetë shoqëria shqiptare me tranzicionin e tejzgjatur.

yacht hotel sarande

Ndërkohë që fenomene të reja janë shfaqur në jetën e përditshme të të miturve, institucionet shtetërore, shkolla dhe vetë familja, kanë mbetur mbrapa duke mos ju përgjigjur problematikave, kërkesave dhe ritmit të jetesës së tyre. Një pjesë e madhe e të miturve, thotë ai, tashmë jetojnë përmes rrjeteve sociale, duke zbehur kontaktet me prindërit si dhe interesin për shkollën.

“Sigurisht, sot rrjetet sociale janë të pamonitoruara për fat të keq. Dhe kjo sjell që grupe të rinjsh të bullizojnë, të ofendojnë, të fyejnë. Ndërsa, në krahun tjetër, të tjerë të ‘tentojnë’ të rrisin prestigjin e tyre duke kryer akte ekstreme, në mënyrë që t’i tregojnë shoqërisë se nuk mund t’i ofendojë kush”, thotë ai.

Angazhimet e prindërve në punë për sigurimin e të ardhurave ekonomike për familjen, thotë psikologu Altin Nika, nuk mund të shmangë detyrimet e tyre për kujdesin ndaj fëmijëve, komunikimin, edukimin, kontrollin dhe mirëritjen.

Në një pjesë të madhe të familjeve shqiptare, thotë ai, janë zbehur kontaktet mes fëmijëve dhe prindërve, kjo edhe për shkak të problematikave të lindura mes vetë prindërve, siç janë divorcet, emigracioni apo vështirësitë ekonomike.

Statistikat tregojnë se, rreth 800 të mitur të moshës deri në 18 vjeç përfshihen çdo vit në vjedhje, trafikim, shpërndarje të drogës, drejtimin e automjeteve pa leje drejtimi, kanosjet, rrahjet e deri tek përdorimi i armëve. Këto raste i çojnë të miturit në konflikte dhe në dyert e policisë dhe gjykatave, duke vështirësuar procesin e rehabilitimit të tyre.

“Prindërit duhet të kenë shumë në fokus fëmijët, t’i kuptojnë dhe të kenë njëfarë aleance që fëmija të ketë mundësi të komunikojë, të dijnë se çfarë po përjeton fëmija, të kontrollojnë për rrjetet sociale. Kujtojmë ligjin se, një i mitur është çdokush nën moshën 18 vjeç. Pra, ai është me përgjegjësi të kufizuar. Kufizimi i përgjegjësisë nënkupton që, pjesën tjetër të përgjegjësisë ligjërisht e ka prindi”, tregon ai.

Drejtuesi i Komisionit “Drejtësi dhe Paqe”, Luigj Mila, thotë se, përveç familjes dhe shkollës, përgjegjësi për përfshirjen e të miturve në konflikt me ligjin, kanë edhe vetë institucionet e shtetit.

“Familja, nga ana e saj po kalon një krizë identiteti, po krijohet një shkëputje e madhe në mes brezave të rinj dhe familjarëve, teknologjia po na ndihmon në drejtimin e gabuar, rrjetet sociale po ndikojnë që të bëhen lidhje të shkurta, jo tëshëndetshme, me problematika. Dhe, nga ana tjetër, institucionet shtetërore nuk është se po investojnë në mënyrë deçizive për lehtësimin, eleminimin, trajtimin, për edukimin e brezave të rinj. Është krijuar një shkëputje, që mendoj se do të vazhdojë”, thotë ai.

Jemi në një tranzicion të thellë, thonë eskpertët, tranzicion ku jo të gjitha hallkat e shoqërisë funksionojnë në harmoni. Dhe kjo bën që brezi i të miturve shpesh herë bie në konflikt me vetë shoqërinë dhe institucionet.

“Nëse shteti nuk e krijon këtë lidhje, nuk e bën këtë koordinim mes familjes, shkollës dhe shoqërisë, atëherë do të vazhdojmë të jemi në këtë gjendje dhe, kam shume frikë se, rastet do të shtohen dhe do të kemi krime më të mëdha”.

Në vitin 2017 Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar “Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit”, i cili synon të mbrojë të drejtat e të miturit në konflikt me ligjin si dhe të promovojë riintegrimin e tyre. Por situata e rënduar ekonomike e pjesës më të madhe të të miturve që bien në konflikt me ligjin, mungesa e bashkëpunimit mes insitucioneve si dhe kapacitetet e kufizuara rehabilituese, e kanë vështirësuar zbatimin duke nxjerr në pah nevojën e përmirësimeve të mëtejshme ligjore./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu