Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Memorandumin e Mirëkuptimit për Kontrollin Shtetëror Portual në Rajonin e Mesdheut”, një marrëveshje e nënshkruar fillimisht në Maltë më 11 korrik 1997.

Gogu e cilësoi këtë nismë si “një projektligj jashtëzakonisht të rëndësishëm për jetën e qytetarit të zakonshëm”, duke theksuar se Shqipëria synon të bëhet pjesë e një strukture rajonale që garanton siguri detare, mbrojtje të mjedisit dhe standarde europiane në porte.

“Republika jonë sot do të vendosë që të hyjë në një ligë mesdhetare shtetesh që kontrollojnë në mënyrë të bashkërenduar anijet që hyjnë në portet e tyre, duke garantuar sigurinë e lundrimit, jetën njerëzore në det dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit.”

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk është thjesht një detyrim teknik, por një hap me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, duke i hapur rrugë mbylljes së Kapitullit 14 të negociatave të anëtarësimit në BE.

Gogu sqaroi se autoritetet shqiptare do të angazhohen për inspektime të rrepta dhe të standardizuara:“Ne do të inspektojmë të paktën 15 për qind të anijeve tregtare të huaja që hyjnë në portet shqiptare. Jemi të detyruar të raportojmë dhe të sigurohemi që anijet janë në standard, nëse rrezikojnë sigurinë apo ndotin mjedisin.”

Ai e quajti këtë “përgjigjen më serioze dhe të qëndrueshme ndaj çdo shqetësimi për ndotjen detare”.
Sipas ministrit, aderimi garanton rritje të kapaciteteve të administratës detare:
“Nuk është vetëm një copë letër. Marrim akses në trajnimet e specializuara, shkëmbejmë informacion në kohë reale, unifikojmë manualet dhe metodologjitë e kontrollit. Kjo do të thotë inspektorë më të mirë, procedura më të qarta dhe më pak hapësirë për abuzim.”

Ministri solli në vëmendje rekomandimet e Komisionit Europian:
“Ekspertët e BE-së kanë kërkuar shprehimisht që Shqipëria, para se të bëhet anëtare e Memorandumit të Parisit, të aderojë fillimisht në marrëveshjen mesdhetare. Kjo na përgatit për hapin e radhës.”

Ai kujtoi se në vitin 2024 vendi doli zyrtarisht nga lista e zezë e Memorandumit të Parisit.
“Shteti duhet të funksionojë përtej zhurmës. Qytetari ka nevojë të dijë sa i sigurt është kur lundron në det. Shqipëria nuk rri më në Mesdhe si spektatore, por bëhet pjesë aktive e kësaj marrëveshjeje.”
Ai ftoi deputetët të mbështesin projektligjin:“Ju ftoj ta votojmë së bashku këtë nismë që na çon një hap më afër standardeve europiane në sigurinë detare.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu