Në ditën e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, në kafenenë e tij të preferuar pranë parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, është vendosur një shtatore bronzi në përkujtim të figurës së tij.

Vendosja e skulpturës përkujtimore është realizuar me nismën e miqve më të afërt të shkrimtarit, si një homazh për jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore.

Në ceremoninë përkujtimore ka qenë e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare, e cila u shpreh se kjo ditë ka një domethënie të veçantë dhe emocionale për të.

“Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën,” tha Helena Kadare, duke kujtuar me mall momentet kur shkrimtari vizitonte çdo ditë këtë vend për shëtitje dhe kafe, së bashku me botuesin e tij.

Shtatorja është vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili ka synuar që figura e Ismail Kadaresë të paraqitet sa më njerëzore dhe e afërt, duke reflektuar personalitetin dhe përditshmërinë e shkrimtarit.

Burimi: ATSH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu