Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla publikoi thirrjen e një shqiptareje të suksesshme nga diaspora drejtuar bashkatdhetarëve mbi rëndësinë e votës së tyre.
“Data 11 janar 2025 ishte një ditë historike për ne shqiptarët e diasporës. Për herë të parë na u dha mundësia të votojmë për zgjedhjet e 11 majit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë. Unë, si pjesë e diasporës, jam shumë e gëzuar për këtë mundësi, sepse për herë të parë në 33 vite që jetoj jashtë Shqipërisë sonë të dashur, më jepet mundësia të marr pjesë në zhvillimet dhe vendimet e saj në të ardhmen,” shprehet shqiptarja me banim në Gjermani, Enkelejda Beqo Dajçi.
Më pas, tregon hap pas hapi si regjistrohet ajo në platformën PER në KQZ.
“Mos harroni se vota jonë është një mision shumë i rëndësishëm. Ne emigrantët kemi kontribuar që nga ndërrimi i sistemit në vitin 1991 për atdheun tonë të dashur dhe sot historia na fton që të kontribuojmë me votën tonë. Ju ftoj nga zemra të gjithë së bashku ta shkruajmë këtë histori dhe të regjistrohemi sa më shumë në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Së bashku për Shqipërinë 2030,” përfundon mesazhi i emigrantes me banim në Gjermani për bashkatdhetarët.
Enkelejda Beqo Dajçi shkëlqen me arritjet e saj në Gjermani. Ajo ka përfunduar studimet për Financë në Universitetin “Otto Friedrich” në Bamberg, Bavari, dhe punon si audituese financiare e kompanive të mëdha gjermane.