
Mijëra njerëz janë larguar nga ishulli i Santorinit ndërsa qindra tërmete vazhduan të trondisin destinacionin e famshëm turistik grek.
Më shumë se 6,000 banorë janë larguar nga ishulli ditët e fundit, sipas transmetuesit publik grek ERT. Të martën herët në mëngjes, qindra njerëz u panë duke pritur në një port të ishullit, duke pritur që një traget t’i çonte në Athinë.
Gjatë tre ditëve të fundit, rreth 550 lëkundje me magnitudë 3.0 janë regjistruar në Detin Egje, midis Santorinit dhe ishujve të afërt të Amorgos dhe Ios.
Organizata e Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmetet e Greqisë (OASP) ka vlerësuar se aktiviteti intensiv sizmik mund të vazhdojë edhe për shumë ditë, nëse jo javë.
Santorini, i quajtur “Ishulli i Instagramit” i Greqisë, tërheq rreth 3.4 milionë vizitorë në vit, por është shtëpia e vetëm rreth 20,000 banorëve të përhershëm. Shumë prej tyre kanë vendosur të largohen nga ishulli për sigurinë e kontinentit.
“Unë punoj në ishull, kam vite që banoj. Por sot… askush nuk e priste që kjo të ndodhte, ajo që po ndodh tani në ishull është e pabesueshme”, tha për Reuters Julian Sinanaj, një banor 35-vjeçar.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis të hënën u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë pasi autoritetet thonë se është me “një fenomen shumë intensiv gjeologjik”.
Fluturime shtesë janë njoftuar për të ndihmuar banorët, me 15 fluturime nga Santorini në Athinë të planifikuar për të martën. Shkollat në ishull do të qëndrojnë të mbyllura deri të premten dhe banorët janë këshilluar të shmangin tubimet e mëdha në ambiente të mbyllura.
“Gjithçka është e mbyllur. Askush nuk punon tani. I gjithë ishulli është zbrazur”, tha Dori, një banore 18-vjeçare për Reuters.
I vendosur pranë kufirit të pllakave tektonike masive afrikane dhe euroaziatike, Santorini nuk është i panjohur për dridhjet, megjithëse ngjarjet sizmike pothuajse të vazhdueshme si kjo janë të rralla.
Ishulli është i famshëm për kalderën e tij – një krater në formë tasi i shkaktuar nga një shpërthim vullkanik – i cili u formua nga një nga shpërthimet më të mëdha të njohura rreth 3600 vjet më parë.
Tërmeti i madh më i fundit i Santorinit – me magnitudë 7.5 ballë – goditi në vitin 1956, duke vrarë të paktën 53 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 100 të tjerë.