
Në Shqipëri punohet mesatarisht rreth 43.7 orë në javë, gati 8 orë më shumë sesa në vendet e BE-së. Shqipëria renditet kështu vendi i parë në Europë, duke kaluar edhe Turqinë, ku EUROSTAT llogarit një mesatare javore pune 43.1 orë.
Koha e gjatë në punë, diktohet në sektorët e prodhimit, bujqësisë e ndërtimit, ku punonjësit janë të angazhuar deri në 46 orë në punë, ndërsa administrata është aktive për 40 orë në javë.
Për krahasim, rajoni i Ballkanit, përgjithësisht punon më gjatë. Në Mal të Zi punonjësit janë në punë 42.8 orë në javë, në Serbi 41.3, në Bosnjë 41.2 dhe në Maqedoninë e veriut gati 40 orë.
Në Bashkimin Europian, në vitin 2023, personat e aftë për punë të moshës 20-64 vjeç, punonin mesatarisht 36.1 orë në javë. Ky numër u referohet orëve, që njerëzit kanë punuar realisht në punën e tyre kryesore, në javën e referencës.