Në një vend ku ushqimi tradicional është krenari kombëtare, sot më shumë se kurrë, pyetja e vetme që duhet të bëjnë shqiptarët para se të ulen për të ngrënë është: A do mbijetoj pas këtij vakti?

Pas skandalit të salmonelës në pulat e tregut që shpërtheu në kulmin e fushatës zgjedhore të Anila Denajt, tani na del edhe murtaja e bagëtive. Dhe ku është ministrja? Aty ku e gjejmë gjithmonë: në heshtje, me sytë nga një karrige tjetër në qeveri.

Nga pulat me salmonelë te delet me murtajë

Kur në muajin prill u zbulua se qindra kilogramë mish pule i infektuar me salmonelë ishin futur në treg, Ministria e Bujqësisë reagoi me klasiken shqiptare: “Po hetojmë, jemi në ndjekje, do marrim masa…” Ndërkohë, pula vazhdonte të shitej, fëmijët përfundonin në spital (kujtojmë rastin e fundit në Gramsh) dhe fatura shëndetësore e popullit shtohej si lista e premtimeve elektorale.

Nuk kaluan as dy muaj, dhe tani… murtaja. Sëmundja ngjitëse që ndikon bagëtitë dhe rrezikon seriozisht zinxhirin ushqimor është kthyer në lajm dite. Si u përhap? Pse nuk u bllokua që në kufi? Kush firmosi futjen e mishit të kontaminuar? Pyetje që kërkojnë përgjigje në një ministri që merret më shumë me fushatë se me ushqimin e popullit.

Anila Denaj: Ministrja që lufton për vota, jo për sigurinë ushqimore

Gjatë zgjedhjeve të fundit, Anila Denaj shfaqej në çdo cep me energji, buzëqeshje të stampuar dhe premtime të rafinuara. Çfarë nuk premtoi: kontroll ushqimor, mbrojtje të fermerëve, standarde evropiane në prodhimin vendas. Por realiteti është një tjetër: një administratë që fshihet pas skandaleve, një aparat kontrolli që funksionon vetëm në letra, dhe një ministre që kërkon mandat duke shkelur mbi urinë dhe shëndetin e njerëzve.

Një popull i detyruar të hajë helmin… ose barin

Shqiptarët janë në mëshirë të fatit: mish pule me salmonelë, mish bagëtish me murtajë, fruta e perime të mbushura me pesticide. Me këtë ritëm, duket se vegjetarianizmi nuk është më zgjedhje personale, por strategji mbijetese. Të paktën barin s’mund ta ndotësh me import nga Brazili a gjetkë.

Dhe një pyetje për në fund: Kush mban përgjegjësi?

Këto skandale nuk janë aksidente. Janë pasojë e një sistemi të kalbur, ku kontrolli ushqimor është thjesht një zyrë me vula, ku inspektorët janë më të interesuar për pazaret sesa për standarde.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu