
Besimi i qytetarëve shqiptarë ndaj mediave po bie ndjeshëm, sipas të dhënave të fundit nga SecuriMeter për vitin 2025, i publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Vetëm 24.9% e shqiptarëve deklarojnë se kanë besim të madh ose të konsiderueshëm te televizionet, duke shënuar një rënie prej 6.6 pikësh krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, mosbesimi ndaj televizionit ka arritur 74.9%, duke treguar një skepticizëm të thellë ndaj informacionit tradicional.
Rënia e besimit nuk ndalet vetëm tek televizionet. Edhe rrjetet sociale mbeten një burim informacioni me besueshmëri të ulët. Vetëm 10.9% e shqiptarëve i besojnë lajmeve që marrin nga mediat sociale, megjithëse ka pasur një rritje të vogël prej 1.4 pikë përqindjeje nga viti i kaluar. Kjo tregon se publiku shqiptar mbetet i dyshimtë ndaj informacionit online, edhe pse përdorimi i rrjeteve sociale është i përhapur.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, situata në Shqipëri duket shqetësuese. Kosova mban nivelin më të lartë të besimit në televizion me 49.0%, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistron 38.9%. Mali i Zi ka 26.9% besim, Serbia 18.7%, dhe Bosnja dhe Hercegovina 18.4%. Kjo e vendos Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të ulët të besimit në media në rajon.
Edhe në rastin e rrjeteve sociale, Shqipëria mbetet në fund të listës. Në të njëjtën kohë, Kosova shënon një rritje të dukshme në besim ndaj mediave sociale, duke arritur 31.7%, ndërsa Serbia gjithashtu përmirëson nivelin e besimit në 19.1%. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, përkundrazi, po përjetojnë rënie të besimit në platforma online, duke reflektuar një skepticizëm të përhapur në rajon.
Ky fenomen mund lidhet ngushtë me përhapjen e dezinformimit, mungesën e pavarësisë së mediave dhe nivelin e ulët të edukimit mediatik.
Situata në Shqipëri tregon se mediat, si tradicionale ashtu edhe online, përballen me një sfidë serioze për të fituar besimin e publikut./Tema






