
Me një Deklaratë Urgjente, komuniteti shqiptar në Greqi kërkon numërimin pa pengesa dhe përfshirjen e plotë të votës së shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi në procesin zgjedhor të majit 2025.
Kjo kërkesë bëhet në një moment kritik, “ku vota jonë demokratike është në rrezik për shkak të disa incidenteve të kufizuara të shkaktuara nga një pakicë keqbërëse dhe manipuluese, që nuk mund të përfaqësojnë komunitetin tonë të gjerë”, thuhet në reagim.
Komuniteti Shqiptar në Greqi gjithashtu shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe pa pengesa.
Deklarata e plotë:
Deklaratë Urgjente e “KSHG”: Kërkesë për numërimin efektiv të votës së Komunitetit Shqiptar në Greqi në procesin zgjedhor parlamentar të majit 2025
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Tiranë
Në vëmendje të: Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve
I nderuar z. Celibashi,
“Komuniteti Shqiptar në Greqi”, ashtu si çdo Shqiptar brenda dhe jashtë vendit, po ndjek me vëmendje dhe përkushtim procesin e numërimit të votave që po zhvillohet aktualisht në vendin tonë.
Duke qenë një pjesë e rëndësishme e Diasporës Shqiptare, Ne theksojmë se vota e Shqiptarëve rezidentë në Greqi duhet të përfshihet pa asnjë pengesë apo vonesë në këtë proces. Kjo është një e drejtë kushtetuese, tashmë e pranuar dhe e garantuar, e cila duhet të zbatohet në mënyrë të plotë, me transparencë dhe integritet maksimal institucional.
Kërkesa jonë është mëse legjitime. Përfaqësimi dhe pjesëmarrja përmes votës tonë në jetën demokratike të vendit duhet të realizohet pa hezitim. Shqiptarët në Greqi, ashtu si çdo shtetas tjetër shqiptar kanë kontribuar përmes sakrificave të jashtëzakonshme për dekada në ekonominë dhe shoqërinë e vendit tonë.
Sot, të gjithë Ne që kemi ndjekur procedurat ligjore me përpikmëri, seriozitet e transparencë të plotë dhe kemi përmbushur detyrimin tonë për të votuar nga Greqia, meritojmë që zëri ynë të dëgjohet e të numërohet si çdo qytetar tjetër brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë.
Problemet apo kurthet e shkaktuara nga një pakicë manipuluese apo keqdashëse nuk duhet dhe nuk munden të bëhen bllokadë të një procesi demokratik, nuk mund të heshtësh zërin dhe vullnetin e ndershëm të shumicës!
Për këtë arsye, Ju drejtohemi me këtë kërkesë të drejtpërdrejtë dhe urgjente për të siguruar një numërim të drejtë, të plotë dhe efektiv të votës së shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, duke e përfshirë atë në rezultatet përfundimtare pa vonesë, si pjesë integrale e vullnetit të popullit shqiptar.
Së fundi, ne ju garantojmë se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionin tuaj për çdo sqarim apo asistencë që do të ndihmonte realizimin e kësaj kërkese legjitime./abc