
Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri po detyrojnë gjithnjë e më shumë qytetarë të furnizohen jashtë vendit, kryesisht në Maqedoninë e Veriut, ku diferenca e çmimit është e ndjeshme.
Në pikën kufitare të Bllatës, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, çdo ditë krijohen radhë të gjata automjetesh, ndërsa banorët e zonave të Dibrës dhe Bulqizës kalojnë kufirin për të mbushur karburant me çmim më të ulët. Fenomeni është bërë i përditshëm, ndërsa të njëjtat pamje raportohen edhe në karburantet e Dibrës së Madhe, ku dominon prania e makinave me targa shqiptare.
Aktualisht, një litër naftë në Maqedoninë e Veriut kushton rreth 150 lekë, ndërsa në Shqipëri arrin në 220 lekë, duke krijuar një diferencë prej rreth 70 lekësh për litër.
Edhe në vendet e tjera të rajonit çmimet mbeten më të ulëta: në Mal të Zi nafta shitet rreth 148 lekë për litër, ndërsa në Kosovë rreth 172 lekë, sërish dukshëm më lirë se në tregun shqiptar.
Kjo situatë po nxit lëvizjen ndërkufitare për furnizim me karburant, duke reflektuar drejtpërdrejt ndikimin e çmimeve të larta në ekonominë familjare dhe kostot e përditshme të qytetarëve.
Ndërkohë, diferencat e theksuara të çmimeve në rajon po rikthejnë në vëmendje debatin për politikat fiskale dhe mekanizmat e kontrollit të tregut të karburanteve në Shqipëri.



