
Koalicioni VLEN njoftoi se për herë të parë në historinë e komunës së Shutkës, gjuha shqipe po përdoret në Këshillin Komunal, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt respektimit të dygjuhësisë.
Sipas VLEN, zhvillimi vjen si rezultat i një marrëveshjeje me pushtetin lokal, e cila synon garantimin e barazisë gjuhësore dhe përfshirjen e shqipes në jetën institucionale. Çdo pikë e rendit të ditës tashmë përkthehet dhe prezantohet në shqip nga një përkthyes i punësuar në komunë.
Koalicioni thekson se ky ndryshim synon t’i bëjë qytetarët shqiptarë të ndihen më të përfaqësuar dhe të barabartë në institucionet lokale, duke e konsideruar atë fillimin e një “epoke të re” për funksionimin e demokracisë vendore.
VLEN shton se vendosja e dygjuhësisë në praktikë është një hap konkret drejt bashkëjetesës dhe respektit institucional, ndërsa thekson se angazhimi i tyre mbetet forcimi i barazisë në vendimmarrje.



