Qytetarët shqiptarë po votojnë për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë. Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00 në të gjithë vendin .

Në këtë proces zgjedhor, mbi 3.7 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, përfshirë edhe 114,642 votues që votojnë për herë të parë. Për herë të parë, edhe diaspora shqiptare merr pjesë në zgjedhje përmes votimit me postë me 246 mijë shqiptarë të regjistruar nga jashtë vendit.

Në garë janë 2,046 kandidatë që konkurrojnë për 140 vende në parlament. Kryeministri Edi Rama, kërkon një mandat të katërt historik në krye të Partisë Socialiste, ndërsa opozita, e udhëhequr nga Sali Berisha dhe aleatët e tij, synon rikthimin në pushtet pas 12 vitesh në opozitë .

Zgjedhjet e sotme janë të një rëndësie të veçantë për të ardhmen politike të vendit, me sfida të shumta përpara, përfshirë integrimin evropian dhe luftën kundër korrupsionit. Rezultatet paraprake priten të shpallen në ditët në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu