Blegtoria në Shqipëri po përballet me një rënie dramatike, në kufijtë e shfarosjes. Instituti i Statistikave raportoi se numri i bagëtive vazhdoi të tkurret me ritme të forta edhe gjatë vitit të kaluar duke u shoqëruar me rënie edhe të prodhit të mishit dhe bulmetrave.

Sipas INSTAT, numri i lopëve në rang vendi u ul me 3.5 për qind krahasuar me një vit më parë duke zbritur në 224 mijë krerë.

Numri i përgjithshëm i të leshtave në vitin 2024 ka rënë me 2;5%, nga 1.206 mijë në 1.177 mijë krerë, krahasuar me 2023. Delet, si kategoria më përfaqësuese, kanë shënuar një rënie më të theksuar prej 3,8%, nga 1.006 mijë në 968 mijë krerë.

Në vitin 2024, janë regjistruar 615 mijë krerë të dhirta, me një rënie prej 3,9%, krahasuar me një vit më parë. Brenda kësaj kategorie, numri i dhive është ulur me 2,2%, nga 512 mijë në 501 mijë krerë. Por rënia më e madhe është shënuar në kategorinë e derrave.

Sipas INSTAT, numri i derrave ra me 9,4%, nga 115 mijë në 104 mijë krerë dhe brenda kësaj kategorie, numri i dosave u reduktua me 9,6%.

Kriza e blegtorisë nuk ka kursyes as shpendët, ndonëse tkurrja e numrit të tyre ishte pak më e lehtë. Sipas INSTAT, edhe pse numri total i shpendëve ka shënuar një rënie të lehtë prej 0,6%, numri i pulave ka pësuar një ulje më të theksuar prej 6,6% gjatë vitit të kaluar, duke zbritur nga 4 milionë e 877 mijë në 4 milionë e 557 mijë.

Bie prodhimi
Tkurrja e numrit të bagëtive është shoqëruar me rënien e mëtejshme të prodhimit të mishit dhe bulmetrave. Sipas INSTAT, prodhimi i përgjithshëm i qumështit u ulu me 2,7%, duke kaluar nga 900.5 mijë tonë në vitin 2023 në 876.6 mijë tonë në vitin 2024.

Prodhimi i mishit në peshë të gjallë ra me 3,8%, nga 135.5 mijë tonë në 130.3 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve u ul me 0,7%.

Statistikat e INSTAT tregojnë se i vetmi sektor me rritje i blegtorisë është ai i bletëve. Numri i koshereve të bletëve është rritur me 13,2%, nga 519 mijë koshere në vitin 2023 në 587 mijë koshere në vitin 2024, ndërsa prodhimi i mjaltit u rrit me 5.4 për qind në terma vjetorë./kapital.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu