Menjëherë pas përfundimit së Samitit të KPE, u zhvillua në Tiranë, Forumi Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore, i cili përzgjodhi Shqipërinë për takimin e tij të parë në Europë.

Në kuadër të këtij Forumi, Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të eventit.

Kryeministri Edi Rama, foli mbi nxitjen e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe atij privat, duke theksuar rëndësinë e hapësirave ku vendimmarrësit dhe njerëzit në terren mund të ndërveprojnë dhe të shkëmbejnë ide. Ai theksoi potencialin e Shqipërisë si një qendër për Evropën për shkak të karakteristikave të saj gjeografike dhe kulturore, duke e krahasuar atë me një “Itali të re” për mundësitë dhe mikpritjen që ofron.

Kryeministri identifikoi energjinë, inovacionin dhe turizmin si sektorë kyç për investime, me projekte në zhvillim në energjinë e rinovueshme dhe parqet teknologjike.

Kryeministri gjithashtu trajtoi sfidat e Bashkimit Evropian në procesin vendimmarrës, duke theksuar nevojën për unitet për të përballuar fuqitë globale në rritje.

Pjesë nga intervista

Richard Attias: E zbulova vendin tuaj – e them me modesti të plotë – vetëm para pak muajsh me gruan time dhe ramë në dashuri me këtë vend, me njerëzit e tij dhe sa herë njerëzit na pyesin, “çfarë mendoni për Shqipërinë” – nuk e di nëse ju pëlqen krahasimi im – por unë mendoj se jeni Zvicra e re e Europës. Jeni fiks në qendër të Europës dhe nga pikëpamja gjeografike keni edhe më shumë të drejtë të jeni qendër për Europën. E dyta, kultura. Larmia e kulturave, larmia e besimeve fetare, një vend i paqtë, një vend tolerance. Pse keni qenë kaq të heshtur deri më sot? E gjithë bota po zbulon tashmë Shqipërinë, po zbulon Tiranën. Nëntëdhjetë për qind e delegatëve tanë janë të habitur pozitivisht me zgjedhjen që bëmë dhe mendoj që ky është vetëm fillimi. Si prisni të jetë e ardhmja e Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse, nga njëra anë, ne – mendoj – nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj. Ky vend, me një territor shumë të vogël, vetëm 28 000 kilometër katrorë, ku gjen dy dete, male, nëntë lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, për të investuar, por, nga ana tjetër, ky vend ka vuajtur tej mase nga stigma dhe ka qenë shumë e vështirë t’i sillje njerëzit në Shqipëri ngaqë stigma ishte shumë e madhe. Pastaj, kur erdhën, sa herë vinin, thoshin: “Oh, po këtu nuk është siç e prisnim”. Tashmë, kemi dalë përtej dhe vitin e kaluar e mbyllëm me 12 milionë turistë, e kjo është shifër e jashtëzakonshme për një vend me vetëm 2,4 milionë. Tani, po kërkojmë të marrim atë çfarë me shumë mirësi po sillni ju në vend, ekselencën, cilësinë më të mirë, sepse na duhet të vëmë një ekuilibër midis masives dhe cilësores, në të kundërt, rrugës, mund të humbim, jo vetëm mundësinë për të qenë Zvicra, që nuk mendoj se e kemi, por edhe mundësinë për të qenë një Itali e re.

Richard Attias: Përveç turizmit, që është absolutisht një prej sektorëve të parë për të investuar, keni kaq shumë projekte të çelura, investues të mëdhenj që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, cilët do të ishin ata sektorë të tjerë, ku do t’iu rekomandonit investuesve të mundshëm të hidhnin sytë?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi një vend shumë, shumë të mirëpozicionuar gjeografikisht dhe politikisht për të bërë shumë më tepër për energjinë dhe po e bëjmë. Për momentin jemi të angazhuar në një projekt shumë të madh bashkë me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara për linjën nënujore që lidh Shqipërinë me Italinë, domethënë dy anët e Europës përmes Adriatikut dhe për të bërë maksimumin me atë që e kemi thesar këtu, energjinë tërësisht të gjelbër. Ne kemi 100 për qind energji të ripërtëritshme. Problemi është se kemi shumë energji hidrike dhe tashmë po ngremë energjinë diellore. Ka kompani franceze që kanë ardhur, edhe kompani të tjera, për të ndërtuar [objekte] për energjinë diellore, kështu që, energjia është pa dyshim një nga frontet. Një tjetër janë të rinjtë e kualifikuar shqiptarë, të cilët janë një lëndë e parë shumë e mirë, ta themi kështu, për të punuar sa i takon novacionit. Aktualisht, kemi ngritur parkun e parë teknologjik me stimuj shumë të mirë, ndaj ka shumë kompani të interesuara të vijnë. Pastaj, edhe në shërbime jemi mirë, por turizmi, energjia dhe novacioni janë tri nga drejtimet ku mund të bëjmë shumë më tepër./vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu