
Shqipëria ka shënuar një tjetër moment historik në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së ka autorizuar Presidencën e BE-së që, përmes Presidencës Polake, t’i dërgojë Shqipërisë kërkesën për të paraqitur pozicionin negociues për katër kapituj të rëndësishëm të Grupkapitullit 4, i cili përfshin Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme.
Ky hap vjen pasi u konstatua se Shqipëria është e përgatitur për të nisur negociatat përkatëse, ndërsa pozicioni zyrtar negociues pritet t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me BE-në, që do të mbahet së shpejti.
Çfarë përfshin Grupkapitulli 4?
Ky grupkapitull përfshin katër kapituj thelbësorë, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, infrastrukturë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve:
- Kapitulli 14 – Politika e Transportit: Përmirësimi i infrastrukturës dhe sigurisë rrugore dhe hekurudhore.
- Kapitulli 15 – Energjia: Sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji.
- Kapitulli 21 – Rrjetet Trans-Evropiane: Ndërlidhja infrastrukturore e Shqipërisë me vendet e BE-së, pjesë e Korridoreve Evropiane.
- Kapitulli 27 – Mbrojtja e Mjedisit dhe Ndryshimet Klimatike: Përafrimi me standardet e larta mjedisore të BE-së.
Një hap konkret për zhvillim të qëndrueshëm
Negociatat në këto kapituj pritet të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, përfshirë ndërtimin e rrugëve moderne, përmirësimin e ndërlidhjes rajonale, garantimin e energjisë së pastër, si dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.
Ky zhvillim konsiderohet një investim në cilësinë e jetës dhe një shtysë për transformimin e pandalshëm të ekonomisë shqiptare drejt standardeve evropiane.
BE: Shqipëria po ecën me ritme të sigurta
Vendimi i BE-së vlerësohet si një konfirmim i progresit të qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e reformave dhe angazhimeve integruese. Ai pasqyron gjithashtu profesionalizmin e institucioneve shqiptare, aktorëve ekonomikë dhe Ekipit Kombëtar të Negociatave.
Bashkimi Evropian ka riafirmuar përkushtimin për një proces zgjerimi të drejtë dhe të bazuar në rezultate të matshme, duke mbështetur vende që ecin përpara me vullnet dhe përmbushje konkrete të standardeve.