
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar përmbytje të shumta në disa qytete të Shqipërisë, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullim dhe duke detyruar autoritetet të marrin masa emergjente.
Durrësi, situata më kritike
Durrës mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq. Në disa zona niveli i ujit arrin deri në 50 cm, ndërsa situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtullë dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Shumë rrugë janë pothuajse të pakalueshme dhe në disa lagje qarkullimi është ndërprerë plotësisht.
Për shkak të situatës, mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të qytetit. Zyra Vendore e Arsimit Durrës ka njoftuar prindërit dhe mësuesit që të shmangin lëvizjet deri në përmirësimin e kushteve.
Aktualisht, 8 familje po evakuohen nga banesat e përmbytura, 3 prej tyre nga Shijaku. Familjet po sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje.
Situata paraqitet e rënduar edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku disa automjete janë fikur në mes të rrugës për shkak të nivelit të lartë të ujit. Edhe në Tiranë, reshjet e dendura kanë sjellë trafik të rënduar dhe probleme në lëvizje.
Lezhë dhe Kukës, rritje e nivelit të lumenjve
Qarku i Lezhë vijon të jetë nën ndikimin e reshjeve intensive. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 96 mm shi, sipas Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër. Si pasojë, është rritur niveli i lumenjve Drin dhe Mat, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe oborreve në disa zona.
Në Kukës, vërshimi i ujërave ka përmbytur segmente rrugore dhe lagje të tëra. Probleme serioze raportohen në akse të rëndësishme si Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Bajram Curri–Valbonë. Gjithashtu, shumë rrugë rurale janë dëmtuar, duke izoluar përkohësisht disa zona.
Shkarkime të kontrolluara në Drin
Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit të energjisë, ndërsa procesi po monitorohet nga specialistët për të shmangur rreziqet.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë vendin dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.




