Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë sjellë problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke shkaktuar rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe emergjencave civile ndodhen në terren, ndërsa hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Situata më e rëndë paraqitet në Qarkun Durrës, ku janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa dhe në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ndërsa rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve vijon.

Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie në tokat bujqësore, ndërsa forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Hidrovoret kanë funksionuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lumi Drin është në rënie, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore të prekura nga rrëshqitjet e dherave dhe për largimin e ujit nga disa objekte, ndërsa në qarqet Berat dhe Elbasan rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë intensifikuar angazhimin në terren. Mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë dislokuar në qarqet Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Kurbin, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Në Durrës janë angazhuar 62 efektivë me 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate dhe 7 motopompa, ndërsa në Gjirokastër 34 efektivë po asistojnë për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”. Në fshatin Obot të Shkodrës po punojnë 9 efektivë me mjete dhe varkë, ndërsa në Kurbin është zhvilluar një operacion xhenierik për pastrimin e rrugëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me strukturat në terren dhe të kontaktojnë institucionet vendore për çdo nevojë, ndërsa situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu