Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt modernizimit të administratës publike përmes inteligjencës artificiale. Në një takim të zhvilluar me drejtues institucionesh dhe partnerë ndërkombëtarë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria është vendi i parë që përdor AI për të bërë negociata me BE” dhe se transferimi i trupit ligjor të BE-së “kryhet me një shpejtësi marramendëse”.

Sipas Ramës, mbi 95% e shërbimeve publike tashmë ofrohen online përmes platformës e-Albania, ndërsa vetëm falë këtij transformimi qytetarët dhe bizneset kanë kursyer mbi 620 milionë euro dhe janë shmangur 49 milionë qëndrime në radhë.

Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj, theksoi se “transformimi dixhital ka shndërruar Shqipërinë në një nga vendet lider në rajon”, ndërsa bashkëpunimi me Mira Muratin, një nga krijueset e ChatGPT, ka ndihmuar ndjeshëm në këtë proces.

Rama gjithashtu paralajmëroi se përdorimi i inteligjencës artificiale do të shtrihet edhe në sektorët e prokurimeve publike, fiskalizimit, kontrollit të territorit dhe reformës ligjore, duke ndihmuar në eliminimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës.

“Ne do të kemi një kontroll absolut mbi territorin dhe një Inspektorat Tatimor të padukshëm, që monitoron çdo transaksion në kohë reale,” u shpreh Kryeministri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu