Një burrë i zakonshëm nga periferia e një qyteti shqiptar u zgjua një mëngjes dhe nuk e dinte se brenda pak orësh jeta e tij do të ndryshonte krejtësisht. Ai nuk ishte kriminel i rrezikshëm. Nuk kishte armë, nuk kishte banda, nuk kishte histori dhune. Kishte ndërtuar një shtesë të vogël pa leje në shtëpinë e tij, ose kishte lidhur energjinë elektrike në mënyrë të paligjshme – një problem që për vite me radhë ka qenë realitet në shumë zona të vendit.

Kur policia erdhi, ai mendoi se do të paguante një gjobë ose do të përballej me një procedurë administrative. Por brenda pak ditësh u gjend në paraburgim. Muaj të tërë pas hekurave, ndërkohë që gjykata ende nuk kishte vendosur nëse ishte fajtor apo jo.

Historia mund të ndryshojë në detaje, por skenari është i njohur në Shqipëri. Dikush përfshihet në një aksident rrugor, ndërkohë që hetimet nuk kanë përfunduar. Një tjetër përballet me një konflikt të momentit. Një i tretë me një shkelje ekonomike. Në shumë raste, përpara se të provohet fajësia, personi përfundon në paraburgim.

Në teori, paraburgimi duhet të jetë masa më ekstreme. Ligji e parashikon vetëm kur ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset, të prishë provat ose të përsërisë krimin. Por në praktikë, shpesh duket sikur është bërë zgjedhja e parë.

Pasojat janë të mëdha dhe shpesh të padukshme. Paraburgimi nuk është vetëm një masë juridike; është një tronditje e plotë e jetës së një njeriu. Familja mbetet pa të ardhura. Fëmijët rriten me stigmat e një prindi në burg. Puna humbet. Reputacioni shkatërrohet. Edhe nëse më pas rezulton i pafajshëm, dëmi është bërë.

Por debati për paraburgimin në Shqipëri ka marrë një dimension tjetër politik. Për vite me radhë kemi dëgjuar një retorikë të fortë nga pushteti: ligji është i barabartë për të gjithë dhe askush nuk i shpëton ndëshkimit. Ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për qytetarët e zakonshëm – për ata që ndërtonin pa leje, që vidhnin energjinë, apo që përfundonin në konflikt me ligjin.

Sot, kur në fokus të drejtësisë janë zyrtarë të lartë apo persona pranë pushtetit, retorika duket se ka ndryshuar. Kryeministri flet për Erion Veliajn si një baba që nuk mund ta çojë dot fëmijën në shkollë, për Mirlinda Karçanin si një nënë të vetme me fëmijë, për Belinda Ballukun si nënë e një fëmije të mitur. Në të njëjtën linjë, shpesh përmenden edhe punonjës të administratës që, sipas tij, po humbin vendet e punës pasi janë futur në paraburgim nga SPAK.

Natyrisht, çdo njeri ka familje dhe çdo prind ka dhimbjen e vet. Por pyetja që lind është e thjeshtë: a vlen kjo ndjeshmëri vetëm kur drejtësia troket te dera e pushtetit?

Sepse për vite me radhë askush nuk pyeti për fëmijët e atij burri që u arrestua për energjinë elektrike, për familjen e shoferit që u fut në burg pas një aksidenti ende të pahetuar, apo për punëtorin që kaloi muaj në paraburgim për një konflikt banal.

Drejtësia nuk mund të jetë humane vetëm kur prek elitën dhe e ashpër kur prek qytetarët e zakonshëm. Nëse paraburgimi është problem, atëherë është problem për të gjithë. Nëse duhet më shumë humanizëm në drejtësi, ai duhet të vlejë për çdo njeri – jo vetëm për ata që kanë pushtet, emër apo zë në politikë.

Sepse ligji ose është i barabartë për të gjithë, ose nuk është fare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu