
Kryeministri Edi Rama ka publikuar raportin e BTI 2026, Indeksit të Transformimit të Bertelsmann Stiftung, i cili vlerëson çdo dy vjet cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe nivelin e qeverisjes në vendet e botës.
Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e para në Europën Juglindore për transformimin politik me 7.70 pikë për periudhën 2023–2025, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Në treguesin e qeverisjes, Shqipëria kryeson gjithashtu rajonin me 6.71 pikë, ndërsa në transformimin ekonomik renditet në vendin e tretë me 7.11 pikë, pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Raporti i BTI është një nga vlerësimet ndërkombëtare më të njohura që analizon performancën e vendeve në drejtim të demokracisë funksionale, ekonomisë së tregut dhe kapaciteteve qeverisëse.
Rezultatet e publikuara e pozicionojnë Shqipërinë në krye të rajonit për disa nga treguesit kryesorë, duke reflektuar sipas qeverisë progres në proceset e transformimit politik dhe administrimit publik.






